14-vjeçari i pasionuar pas folklorit – Adrian Prela, ruajtësi i vogël i një trashëgimie të madhe
Në një kohë kur ritmet e jetës moderne kërcënojnë të zbehin traditat e vjetra, një 14-vjeçar nga veriu i Shqipërisë po sfidon harresën përmes pasionit të tij për muzikën folklorike. Adrian Prela, me origjinë nga fshati Iballë i Pukës dhe banues në Dukagjin të Ri, ka nisur udhëtimin e tij muzikor që në moshën 12-vjeçare.
Me çiftelinë në dorë, tupanin përkrah dhe zërin të mbushur me ndjenjë, Adriani sjell në jetë jehonën e maleve të veriut në çdo tingull që krijon.
“Unë vij nga Dukagjini i Ri që të bëj kursin në Lezhë. Kam bërë një këngë për vendlindjen”, u shpreh Adrian Prelaj.
Adriani është një nga nxënësit më të talentuar në kursin e çiftelisë që zhvillohet në Lezhë, nën drejtimin e rapsodit të njohur Llesh Prenga. Me një përkushtim të rrallë për moshën e tij, ai jo vetëm mëson muzikën e të parëve, por e jeton atë duke u kthyer në një zë të ri për një trashëgimi të lashtë.
‘Është një djalë që ka prirje shumë për çiftelinë, për këngën dhe tupanin, është shumë premtues për folklorin”, u shpreh rapsodi, Llesh Prenga.
Përmes pasionit dhe talentit të rinjtë si Adriani, muzika folklorike e veriut po i përcillet brezave të rinj. Ajo po ruhet e kultivohet si një pasuri kombëtare me vlera të veçanta, që meriton të mbijetojë edhe në kohët moderne.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




