Zelensky në Berlin: SHBA t’i vendosë sanksione Moskës, Merz: Do ndihmojmë Kievin me raketa

Botë | 1 vit më parë

Kancelari i ri i Gjermanisë, Friedrich Merz i ka premtuar Volodymyr Zelensky-t se Berlini do të ndihmojë Kievin të prodhojë raketa me rreze të gjatë për t’u mbrojtur nga sulmi rus.

“Ne duam të flasim për prodhimin dhe nuk do të diskutojmë publikisht detajet” tha ai, kur u pyet nga reporterët në Berlin nëse Gjermania do të furnizonte Keivin me raketat e saj, Taurus.

Merz mori detyrën në fillim të këtij muaji, duke premtuar se do të forconte mbështetjen gjermane për Ukrainën, dhe tha këtë javë se nuk kishte kufizime për dërgimin e armëve të aleatëve perëndimorë në Kiev.

Kancelari gjerman tha se një “memorandum mirëkuptimi” mbi raketa me rreze të gjatë veprimi do të nënshkruhet ditën e sotme nga ministrat gjermanë dhe ukrainas.

Nga ana tjetër, Kremlini ka paralajmëruar se çdo vendim për t’i dhënë fund kufizimeve me raketat që Ukraina mund të përdorë do të ishte një ndryshim mjaft i rrezikshëm në politikë që do të dëmtonte përpjekjet për të arritur një marrëveshje politike.

Sidoqoftë, Merz ka theksuar që atëherë se një vendim për heqjen e kufizimeve u mor nga aleatët perëndimorë muaj më parë.

Volodymyr Zelensky ka bërë thirrje për bisedime që synojnë arritjen e një zgjidhjeje të luftës duke përfshirë Trump-in dhe Putinin, megjithëse shtoi se ai ishte gati për çdo format.

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov nuk e hodhi poshtë një ide të tillë, por tha që se takim i tillë mund të zhvillohej vetëm pasi të ishin arritur “marrëveshjet konkrete” midis dy delegacioneve.

Megjithëse Ukraina dhe Rusia mbajtën bisedimet e tyre të para të drejtpërdrejta për më shumë se tre vjet më parë, takimi këtë muaj në Stamboll përfshinte zyrtarë të nivelit të ulët ku morën pjesë dhe ata ishin në gjendje të pajtoheshin vetëm për një shkëmbim të të burgosurve, i cili u mbajt fundjavën e kaluar.

Ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov sugjeroi të mërkurën se së afërmi do të mbahen bisedimet e radhës por e bëri të qartë se Moska po kërkon garanci për “statusin neutral dhe jo-bërthamor” të Ukrainës.

Ndërkaq, presidenti amerikan Donald Trump tha se SHBA-së po i soset durimet me dështimin e Rusisë për të ecur përpara në bisedime të mëtejshme.

Ai akuzoi Vladimir Putinin se “po luan me zjarrin”, pas sulmeve me raketa që lanë të vdekur 13 ukrainas, përfshirë edhe fëmijë.

Sidoqoftë, zyrtarët rusë sugjeruan që Trump nuk ishte informuar sa duhet për kontekstin e konfliktit, ndërsa Zelensky ka akuzuar Moskën për vonimin e procesit të paqes.

Presidenti i Ukrainës i ka kërkuar Uashingtonit të vendosë sanksione ndaj sektorëve bankarë dhe energjetikë të Rusisë.

Ai tha se e kishte diskutuar çështjen me Trump-in, duke shtuar se presidenti amerikan kishte “konfirmuar se nëse Rusia nuk ndalet, do të vendosen sanksione” kundrejt Moskës.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme