Qeveria kthen ushtarakët e rezervës në shërbimin aktiv për të plotësuar nevojat e Forcave të Armatosura

Qeveria shqiptare ka miratuar vendimin që i hap rrugën rikthimit në shërbimin aktiv ushtarakëve në rezervë. Ky vendim, i propozuar nga Ministria e Mbrojtjes dhe i miratuar nga Këshilli i Ministrave, ka për qëllim të plotësojë nevojat e Forcave të Armatosura me personel të kualifikuar dhe të forcojë kapacitetet mbrojtëse të vendit.
Sipas këtij vendimi, ushtarakët që kanë qenë më parë në shërbim, oficerë, nënoficerë apo ushtarë dhe detarë, do të kenë mundësi të rikthehen në shërbimin aktiv kur strukturat ushtarake kanë nevojë për specialitetin apo përvojën e tyre.
Thirrjet për pozicione të hapura do të publikohen nga Ministria e Mbrojtjes në faqen e saj zyrtare, ndërsa aplikimi do të kryhet online përmes portalit e-Albania. Pas dorëzimit të dokumenteve, kandidatët do t’i nënshtrohen vlerësimit nga komisionet përkatëse dhe kontrollit të sigurisë. Kandidatët e përzgjedhur do të titullohen si ushtarakë aktivë, për t’u emëruar më pas në detyrën përkatëse. Ata do të ruajnë gradën që kanë pasur në momentin e daljes në rezervë dhe nuk do të kenë të drejtë për avancim gjatë periudhës së kontratës.
Vendimi gjithashtu parashikon se në rastet e mobilizimit të pjesshëm apo të përgjithshëm, rikthimi në shërbim mund të bëhet edhe pa aplikim, me njoftim të drejtpërdrejtë nga institucionet ushtarake. Ky vendim përbën një hap të rëndësishëm për të garantuar gatishmërinë në radhët e Forcave të Armatosura shqiptare sipas modeleve më të mira të vendeve të NATO-s dhe është një mundësi për shumë ushtarakë që të japin sërish kontributin e tyre në shërbim të vendit.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




