Mbyllja e seancës plenare, Berisha: Parlamenti është shndërruar në bodrum të mafies

Seanca e sotme plenare zgjati vetëm pak minuta, në të cilat opozita nuk ngurroi të artikulonte akuzat kundrejt mazhorancës për farcsë elektorale. Pas mbylljes së seancës, Kryedemokrati Sali Berisha deklaroi para medieve se Parlamenti është shndërruar në një bodrum të mafies ku nuk respektohet asnjë rregull dhe ligj.
“Kjo ndodh kur parlamenti shndërrohet në një bodrum të mafies. Parlamenti nuk respekton asnjë rregull as të rregullores, as Kushtetutën, as ligjet.
Parlamenti përdoret si një dyqan privat i partisë së krimit dhe kjo ishte një seance nga më të turpshmet ku pas një farse elektorale të paprecedent, në vend që qytetarët të dëgjonin të gjithë faktet, argumentet e opozitës për atë çfarë ndodhi më 11 Maj, këta ia mbathin brenda disa minutash. Ja shiheni, ikin, ikin. Dhe ua thashë edhe në parlament, ishte shumë më e drejtë që në parlament të vijnë bosët e karteleve se sa këta”, deklaroi Berisha.
Ky i fundit vijoi me akuzat kundrejt socialistëve, duke u ndalur kryesisht te deputetët e dalë nga zgjedhjet e 11 majit të cilët do të ulen në karriget e Parlamentit në muajin shtator, kur nis dhe sesioni i ri parlamentar. Berisha theksoi se ata deputetë që do të jenë në shtator në Kuvend, janë përfaqësues të një farëse të shëmtuar elektorale.
“Njëlloj, kanë një votë gjithsej. Ata janë një. Mos e pyet se kush vjen aty.
Nuk janë deputetë, janë përfaqësues të një farse të shëmtuar elektorale që nuk e ka parë vendi kurrë. Të gjitha format e qëndresës janë të pranueshme. Sot me drejtuesit politikë kemi çështje krejtësisht teknike. Sot i gjithë takimi është për finalizimin sa më shpejt të raportit”, tha ai.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




