Shqipëria dhe Ukraina nënshkruajnë marrëveshje bashkëpunimi për menaxhimin e pasurive të sekuestruara dhe të konfiskuara

Agjencia e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara e Shqipërisë (AAPSK) dhe Agjencia Kombëtare e Ukrainës për Gjetjen, Gjurmimin dhe Menaxhimin e Pasurive që Rrjedhin nga Korrupsioni dhe Krime të Tjera (ARMA) nënshkruan të premten një marrëveshje bashkëpunimi me qëllim forcimin e lidhjeve institucionale dhe shkëmbimin e përvojave në fushën e administrimit të pasurive të sekuestruara dhe të konfiskuara.
Marrëveshja u nënshkrua në Varshavë, ku të dy vendet morën pjesë në Forumin IV Ligjor BE-Partneriteti Lindor, nga Risena Xhaja, Kryeadministratore e AAPSK-së, dhe Olena Duma, Drejtoreshë e ARMA-s, duke shënuar një hap të rëndësishëm drejt ndërtimit të një platforme të përbashkët për rritjen e efektivitetit në luftën kundër korrupsionit dhe krimeve të tjera me ndikim ekonomik.
Në deklaratën e saj, Xhaja theksoi: “Kjo marrëveshje shënon jo vetëm një bashkëpunim teknik, por edhe një angazhim të përbashkët për forcimin e shtetit të së drejtës dhe përdorimin e pasurive të sekuestruara dhe konfiskuara në dobi të publikut.”
Nga ana e saj, Duma vlerësoi forcimin e bashkëpunimit ndërkombëtar në rritjen e kapaciteteve dhe efikasitetit institucional: “Partneritetet si ky janë thelbësore për të siguruar një qasje të koordinuar dhe efektive ndaj pasurive të paligjshme në nivel ndërkombëtar.”
Marrëveshja hyn në fuqi menjëherë dhe do të shërbejë si bazë për shkëmbim informacioni dhe zhvillimin e një sërë aktivitetesh të përbashkëta për periudhën në vazhdim.




/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




