Dita pa duhan, eksperti Shuperka: Institucionet të ndërmarrin fushata sensibilizuese. Edukimi, që në kopshte
Në kuadër të Dita Ndërkombëtare pa Duhan (31 maj), eksperti Roland Shuperka ka bërë thirrje për ndërgjegjësim të shpejtë dhe masa konkrete kundër përdorimit të duhanit. I ftuar në emisionin “Mirëmëngjes Shqipëri”, eksperti për kontrollin e duhanit theksoi rëndësinë e aktiviteteve ndërkombëtare që zhvillohen çdo vit për të sensibilizuar publikun mbi dëmet që shkakton pirja e duhanit.
Po ashtu, ai bëri një thirrje dhe ndaj institucioneve të shëndetësisë dhe Ministrisë së Shëndetësisë kryesisht që të nisë fushatë sensibilizimi dhe ndërgjegjësimi kundër pirjes së duhanit, ndërsa theksoi se edhe në kopshte nevojitet përdorimi i politikave të tilla.
“Nëse ne në shëndet publik njohim reduktimin e dëmit në shumë sfera, ka ardhur koha që institucionet e shëndetësisë të ndërmarrin një nismë të tillë, reduktim dëmi.
Fusni që në kopsht edukatën për pirjen e duhanit që fëmijët të sensibilizohen që në atë moshë dhe të mos pinë duhan”, tha ai.
Që prej vitit 1988, Kombet e Bashkuara çdo vit japin mesazhe të forta kundër duhanit, duke u bërë thirrje shteteve të ndërmarrin masa më të forta për të mbrojtur shëndetin e popullatës.
Shuperka theksoi gjithashtu se shumica e vdekjeve nga duhani janë të shkaktuara nga katrani dhe monoksidi i karbonit që krijohen kur duhani digjet në temperatura të larta, duke kontribuar në zhvillimin e kancereve të mushkërive dhe të tjera. “Lufta nuk është kundër cigareve, por kundër tymit të duhanit,” theksoi ai, duke shtuar se shumë shtete, përfshirë Francën, janë duke e përqafuar një politikë të re të eliminimit të duhanit. Pritet që Franca të arrijë një nivel pa tym duhani deri në vitin 2032.
Shuperka gjithashtu përmendi zhvillimet e reja në industrinë e duhanit, ku shumë shtete të zhvilluara, si Suedia, Anglia dhe Japonia, kanë adoptuar produkte alternative më pak të dëmshme, si duhani me ngrohje dhe çamçakëzët që përmbajnë nikotinë. Sipas ekspertëve, këto produkte janë deri në 95% më pak të dëmshme për shëndetin dhe pritet që duhani i zakonshëm me djegie të eliminohet brenda një dekade.
“Gjithë vendet e emancipuara, Suedia e para, Anglia, Çekia, Japonia kanë përqafuar produktet e reja të dhënies së nikotinës, duhanin me ngrohje, çamçakëzët, etj,. Po kalohet në produkte më pak të dëmshme. Duhani me djegie po shkon drejt fundit dhe pritet që brenda një 10-vjeçari të eliminohet. Këto produkte të reja janë prodhuar nga shkencëtarët dhe janë 95% më pak të dëmshme”, shtoi ai.
Megjithatë, ndonëse produktet alternative po bëjnë përparim, Shuperka shprehu shqetësim për rritjen e numrit të duhanpirësve në nivel global, që ka arritur në 1.3 miliardë. Ai theksoi se politikat e gabuara të shëndetit publik kanë kontribuar në këtë rritje alarmante të konsumit të duhanit, dhe se është koha që shtetet të bëjnë më shumë për të mbrojtur shëndetin e qytetarëve të tyre.
“Në nivel botëror ka shkuar 1.3 miliardë duhanpirës, në rast se ishte 1.1 miliardë në 2000, ne po shohim që ky numër po rritet si pasojë e politikave të gabuara.”, theksoi eksperti.
Një tjetër aspekt që Shuperka theksoi ishte përdorimi i cigareve elektronike, sidomos te grupmoshat e reja. Ai shpjegoi se nikotina nuk ka asnjë ndikim pozitiv në zhvillimin e trurit dhe se është e papranueshme që brezi i ri të krijojë varësi nga kjo substancë. “Edhe përdorimi i cigareve elektronike mund të çojë në një varësi të dëmshme për shëndetin,” tha ai, duke kërkuar një sensibilizim të gjerë në shkolla dhe institucione shëndetësore.
Në përfundim, ai apeloi për hartimin e politikave më të fuqishme nga institucionet dhe përfshirjen e edukatës për pirjen e duhanit që nga moshat më të vogla. “Ne duhet të sigurojmë që brezi i ri të jetë i ndërgjegjshëm për rreziqet e duhanit që nga fëmijëria,” përfundoi Shuperka.
Duhani është një vrasës i heshtur, që vazhdon të marr çdo ditë jetë njerëzish. Konsumi i tij mbetet i lartë.
Nga një përllogaritje e Organizatës Botërore të Shëndetësisë, mbi 8 milionë njerëz vdesin çdo vit nga sëmundjet e shkaktuara nga pirja e duhanit.
31 Maji është quajtur si dita botërore pa duhan. Mund të tingëllojë si një ditë për të shmangur thjesht pirjen e duhanit, në të vërtetë është shumë më tepër se kaq. E udhëhequr nga OBSH-ja, kjo ditë synon të rrisë ndërgjegjësimin rreth rreziqeve serioze shëndetësore që lidhen me përdorimin e duhanit dhe të inkurajojë miliona njerëz në mbarë botën që ta lënë këtë zakon njëherë e përgjithmonë.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




