Rrethi i 82 Kombëtar i Çiklizmit, Melhani dhe Velaj: Promovim i Shqipërisë në skenën ndërkombëtare

Në një periudhë që shënon 100-vjetorin e garës së parë çiklistike dhe tre etapave të para të Giro d’Italia, Federata Shqiptare e Çiklizmit organizoi me sukses Rrethin e 82-të Kombëtar të Çiklizmit. Kjo ngjarje e rëndësishme për sportin shqiptar mblodhi 15 skuadra dhe 96 sportistë, të cilët përshkuan mbi 760 km nëpër rrugët e Shqipërisë, të ndara në 5 etapa. Gara u shndërrua në një shfaqje të madhe të forcës dhe pasionit për çiklizmin, duke promovuar vendin dhe qytetet e tij në një nivel ndërkombëtar.
I ftuar në emisionin “Mirëmëngjes Shqipëri”, Medin Melhani, trajner i ekipit kombëtar deklaroi se theksoi rëndësinë e kësaj gare si një ngjarje që ka pasur një ndikim të madh në zhvillimin e çiklizmit shqiptar. Ai shpjegoi se ky rreth i 82-të është zhvilluar çdo vit, dhe se fokusi i tij është promovimi i qyteteve dhe bashkive të Shqipërisë.
“Gara ka pasur më pak se 800 kilometra, të ndara në 5 etapa, dhe është zhvilluar në 5 ditë. Ekipet ndërkombëtare dhe kombëtare nga shtetet fqinje, si Maqedonia, Kosova dhe Arabia Saudite, si dhe klube nga Holanda, Italia dhe Serbia morën pjesë në këtë ngjarje.”, tha ai.
Melhani vazhdoi të tregonte për emocionet dhe sfidat e garës, ku ai veçoi etapën e katërt, që ishte një përvojë e ngjashme me etapat e Giro d’Italia.
“Në etapën e parë morëm një fitore, por në etapën e dytë ndryshuan rezultatet, pasi ekipi holandez kishte një formacion shumë të fortë prej 7 çiklistësh. Ne patëm disa mungesa, duke qenë se kishim vetëm 5 sportistë, por pavarësisht kësaj, ekipi ynë mbajti një rezultat të shkëlqyer, duke mbyllur gara në vendin e dytë.”, shtoi ai.
Për Melhanin, ky rreth çiklistik është një mundësi e shkëlqyer për të sjellë më shumë vëmendje për çiklizmin në Shqipëri, sidomos pas 100 vjetësh të rrethit çiklistik shqiptar, që nisi në vitin 1925.
Rrethi i Çiklizmit në Shqipëri është bërë gjithnjë e më ndërkombëtar që prej vitit 2017, duke tërhequr sportistë nga e gjithë bota. Kjo ngjarje u shërben sportistëve për të marrë pikët që i nevojiten për të kualifikuar në kampionate të rëndësishme, si dhe për të hyrë në garat ndërkombëtare. Melhani shpjegoi se këto garat janë një mundësi e rëndësishme për çiklistët shqiptarë për t’u kualifikuar në evenimente të mëdha. “Kërkojmë pikë që të mund të kualifikoheni për kampionatin kombëtar dhe ndërkombëtar më vonë. Rrethi i 82-të është një mundësi për të avancuar dhe për të mbajtur vëmendjen mbi çiklizmin shqiptar.”, theksoi Melhani.
Një tjetër figurë e rëndësishme nga ekipi kombëtar, çiklisti Olsian Velaj, theksoi emocionet që shoqëruan garën. Ai u shpreh se kishte shpresuar të fitonte fanellën e verdhë, por, ndonëse e humbën atë, e ekipi i tij arriti të mbronte vendin e dytë deri në fund.
“Etapa e dytë ishte më e vështira, sepse jo vetëm që kishim detyrimin për të mbrojtur fanellën, por edhe për të luftuar kundër ekipeve të tjera shumë të forta,” tha Velaj.
Ai gjithashtu theksoi një nga fitoret e tij më të mëdha, duke fituar etapën Elbasan-Vlorë për të tretin vit radhazi. “Ka qenë një arritje e madhe për mua dhe ekipin tim, pasi ishte një garë shumë e fortë dhe kërkonte shumë mund për të fituar.“, përfundoi ai.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




