Krijohet Komanda Kibernetike e Ndërlidhjes, Vengu: Reagim ndaj sfidave të reja të sulmeve digjitale

Në krijimin e Komandës Kibernetike të Ndërlidhjes, ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu ka deklaruar se ky është një moment historik për mbrojtjen e Shqipërisë në epokën digjitale.
Gjatë ceremonisë së themelimit të kësaj komande, Vengu tha se “sulmet kibernetike të vitit 2022 ndaj Shqipërisë shërbyen si një kujtesë e fuqishme se në një botë digjitale, mbrojtja e hapësirës kibernetike është po aq e rëndësishme sa mbrojtja e integritetit territorial të vendit.”
“Këto zhvillime të mbështetura edhe në përvojat e tjera të NATO-s e bën të domosdoshme dhe krejt të natyrshme krijimin e Komandës Kibernetike të Ndërlidhjes. E natyrshme sepse bashkëpunimi mes komponentit ushtarak dhe komponentit civil është ndoshta çelësi i suksesit”, u shpreh Vengu.
Ai vuri në dukje se krijimi i kësaj komande vjen si përgjigje ndaj sfidave të reja të sigurisë dhe se konfirmon angazhimin e Shqipërisë për modernizimin e infrastrukturës së saj mbrojtëse.
“Krijimi i kësaj komande përbën një hap historik dhe thekson edhe një angazhimin e Shqipërisë në modernizimin e saj të sigurisë kibernetike duke konfirmuar rolin tonë gjithnjë e më aktiv në arkitekturën rajonale dhe brenda aleancës për sa i përket politikave të sigurisë kibernetike”, tha ministri i Mbrojtjes.
Vengu shtoi se komanda e re vjen “me një qasje bashkëkohore dhe dinamike, por edhe me një trashëgmi të vlefshme, pasi elementët e parë ndërlidhës në Forcat e Armatosura janë themeluar që në vitin 1931.”
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




