Intervistë ekskluzive! Rajmond Sejko: Si na shkatërroi diktatura; burg, vrasje dhe asnjë varr për të qarë

Nga redaksia e “Një Shqipëri”/“Babai u ekzekutua pa gjyq. Vëllai u pushkatua. Nëna u vetëvra. Unë mbeta me një fotografi në xhep dhe një emër të padëshiruar në një vend që më quajti armik.”
Kështu nis rrëfimi i Rajmond Sejkos, djali i admiralit të Flotës Luftarake Detare, Teme Sejko, që u eliminua nga regjimi komunist me akuza politike. Në këtë intervistë ekskluzive për “Një Shqipëri” në RTSH 1, ai zbulon për herë të parë historinë tronditëse të familjes së tij: arrestime, pushkatime, internime dhe mbi të gjitha, mungesën e një varri për të qarë. Në këtë intervistë, ai sjell rrëfimin e plotë të një jete të shkatërruar padrejtësisht.
“Isha vetëm 11 vjeç kur arrestuan babanë… Nuk po kuptonim asgjë”
Z. Rajmond, ju ishit vetëm 11 vjeç kur u arrestua babai juaj, admirali Teme Sejko. Si e kujtoni ditën e 28 korrikut 1960?
Më kujtohet shumë qartë. Ishte një ditë e enjte, rreth orës 11:00 paradite. Unë dhe vëllai im po loznim me letra në verandën e shtëpisë së gjyshërve në Tiranë. Papritur, në oborr hynë dy burra me kostume gri dhe kapele. Na pyetën ku ishte mamaja dhe ne i treguam dhomën. Pasi hynë, dëgjuam një ulërimë nga ajo. Nuk kuptonim çfarë po ndodhte. Ndenjën aty për rreth një orë, kontrolluan gjithë dhomën dhe më pas u larguan.
Kur hymë më pas, nëna ishte shumë keq. Gjyshja na nxori jashtë, por ende nuk kuptonim çfarë kishte ndodhur. Më pas mësuam që babai ishte arrestuar. Isha vetëm 11 vjeç, nuk arrija ta kuptoja çfarë do të thoshte kjo.
Pas asaj dite, nëna ime u përpoq të gjente ndonjë informacion. Shkoi edhe te Shefqet Peçi, pasi babai kishte punuar me të në korpusin e Gjirokastrës. Por ai u përgjigj që nuk dinte gjë dhe nuk e njoftoi më kurrë, pavarësisht premtimit.
“Në Vlorë, gjetëm shtëpinë rrënojë. Na lanë vetëm me nga një lugë dhe një batanije.”
Çfarë ndodhi më pas me familjen tuaj?
U rikthyem në Vlorë, ku gjetëm shtëpinë në një rrëmujë të tmerrshme. E kishin kontrolluar tërësisht, gjithçka ishte përmbysur. Në shtator fillova shkollën, por as shokët dhe as mësuesit nuk bënë ndonjë koment për atë që kishte ndodhur. Megjithatë, një ditë kur u ktheva nga shkolla, shtëpia u sekuestrua nga oficerë të Sigurimit të Marinës. Na lanë vetëm me nga një dyshek, një lugë dhe një batanije për secilin. Pastaj na zhvendosën në një dhomë të vetme, me banjo të përbashkët me familje të tjera.
“Babai u ekzekutua, vëllai u pushkatua…. Nuk i kemi gjetur varret.”
Në 1961, babai juaj u ekzekutua pa gjyq dhe më vonë vëllai juaj, Sokol, u pushkatua në 1974. Si e përballuat humbjen e tyre? A keni kërkuar ndonjëherë të gjeni eshtrat?
Gjyqi i babait u transmetua në radio, por ne nuk kishim radio dhe as nuk mund të rrinim në turmë ta dëgjonim. Mësuam nga gazetat që u dënua me vdekje dhe që nuk iu fal jeta. Pas shumë vitesh, kur unë, nëna dhe vëllai kishim filluar të punonim për herë të parë, filloi kalvari tjetër.
Vëllai im u akuzua padrejtësisht për një zjarrvënie në kombinatin tekstil. E gjithë akuza u ngrit mbi një vajzë që ishte futur nga Sigurimi. U mbajt nën survejim, kërcënime, provokime. Nuk pranoi të arratisej kur iu dha mundësia, sepse nuk kishte ku të shkonte.
Dita e arrestimit të tij më kujtohet shumë mirë. Ishte e diel, 3 qershor 1973. Ai po flinte, unë studioja për provimet e shkollës së mesme. Kur e arrestuan, ai i la porosi mamasë: “mama, çoji ato librat që kam marrë në bibliotekë se i kam me afat”. Një oficer i tha: “Ti nuk e kupton se çfarë po ndodh, je armik i popullit.” Vëllai im nuk kishte bërë asgjë.
Nuk kemi varre për asnjërin. Për Sokolin kërkuam tri herë në një zonë pranë Beratit, por pa rezultat. Për babanë, është edhe më tragjike. Pas dënimit, e mbajtën një muaj në birucë, e torturuan barbarisht dhe më pas e mbytën me litar. Trupin ia çuan në Linzë, e groposën në një varr të hapur më parë, por nuk kemi arritur ta gjejmë vendin.
“U akuzova se kisha shtyrë nënën të vetëvritej… Një ironi tragjike.”
Historia e nënës suaj, Shpresa, dhe e xhaxhait Sulo, gjithashtu janë të dhimbshme. Ju madje u akuzuat se e kishit shtyrë nënën drejt vetëvrasjes. Si ndodhi kjo?
Më 21 shkurt 1975, ditë e premte, në orën 8 të mëngjesit, u shoqërova nga Sigurimi. Kisha qenë në Fier për të marrë mamanë. Kur u ktheva, në oborrin mes pallateve, e pashë të shtrirë. U ngjita me vrap dhe i thashë gjyshit. Pas 5 minutash, erdhën dhe më thanë se më kërkonin poshtë.
Kisha arritur të fshihja një fotografi të vetme të babait, që shpëtoi nga kontrollet. Atë ditë më mbajtën 8 orë në një dhomë pritjeje në Degën e Punëve të Brendshme në Berat. Nuk më thanë asgjë. Në fund, polici nuk më fuste në burg pa një dokument, kështu që Bujar Himci më përgatiti një “proces ndalimi”, ku thuhej se unë kisha shtyrë nënën të vriste veten.
Është ironike: nëna ime, që në moshën 12-13 vjeçare shpërndante trakte për Partinë, përfundoi kështu, e shtyrë drejt një akti të tillë nga një regjim që i kishte shkatërruar plotësisht jetën asaj dhe familjes sonë.
“U dënova për ‘agjitacion’; dita e dënimit, e njëjtë me ditën kur babai mori vendimin me vdekje”
Më pas, ju u dënuat me burg për “agjitacion”. Na rrëfeni, si mbijetuat?
U dënova më 27 maj 1975, pikërisht në të njëjtën datë që babai im kishte marrë dënimin me vdekje – një përkim që nuk mund ta konsideroj rastësi. Ishte një tjetër formë presioni, një ironi e hidhur e atij regjimi që deshi të më thyejë shpirtërisht.
Fillimisht më pyetën nëse do të bëja apel. E mendova gjatë ndërsa qëndroja në birucat e Beratit dhe vendosa të mos bëja. Nuk ia vlente. Më pas, rreth datës 15 qershor, më transferuan në Tiranë, në burgun 303, ku grumbulloheshin të burgosurit politik para se të niseshin për në Spaç. Më 26 qershor, erdhi autoburgu dhe na futën brenda si të ishim thasë me dru, të ngjeshur në një hapësirë të vogël, me vetëm një vrimë ajri.
Rruga ishte e gjatë dhe e vështirë. Në Spaç na kontrolluan, na ndërruan rrobat dhe na urdhëruan të laheshim. Aty nisi një etapë tjetër, mbijetesa.
Fati im ishte që isha fizikisht i fortë. Kisha punuar që në fëmijëri në ndërtim dhe bujqësi, edhe si ushtar. Kjo më ndihmoi të përballoja punën e rëndë dhe të arrija normat, që ishin çelësi për të mos u persekutuar më tej në kamp. Urrejtja ndaj padrejtësisë më mbante gjallë. Po ashtu, edhe shoqëria me të burgosurit e tjerë, një solidaritet i rrallë që s’e gjen askund tjetër.
Ishte një shprehje që qarkullonte aty: “A bëre ndonjë çik sot?”, që do të thoshte nëse e shave komunizmin sot. Dhe përgjigja zakonisht ishte: “Po, bëra sa desha.”
Kushtet ishin të mjerueshme. Racioni i ushqimit mund të dukej normal në letër, por ajo që na servohej ishte shpesh e mykur ose me krimba. Një mëngjes të vitit 1980 apo 1981, kur zarzavatet e thata kishin zënë krimba, për pak sa nuk i hëngra pa e kuptuar, isha aq i uritur dhe përgjumur. I hiqja me lugë dhe vazhdoja të haja, sepse për të përmbushur normën, nuk kishe zgjidhje tjetër.
“Muret e rrënuara në shtëpinë e babait në Çamëri, më tronditën shpirtin”
Në 2024, ju vizituat shtëpinë e babait në Çamëri. Çfarë ndjenjash ju ngjallën ato mure të braktisura?
Në fund të korrikut 2024, bashkë me djalin, vajzën e vogël dhe nipin, u nisëm për në Filat. E kisha ëndërruar prej vitesh atë udhëtim, por vetëm atwherw u bë i mundur. Kalimi i kufirit shkoi pa probleme dhe u drejtuam menjëherë për në shtëpinë ku kishte lindur babai im.
Ishte e lehtë për ta gjetur, kishim informacione të sakta për drejtimin. Kur mbërritëm, pamë një godinë të madhe. Gjysma ishte ende me çati dhe banohej, pjesa tjetër ishte plotësisht e rrënuar. Ajo shtëpi kishte pasur një jetë të gjatë – pasi iku gjyshi në vitin 1920, ishte përdorur për stacion policie, më pas për shtypshkronjë dhe në fund ishte dhënë me qira.
Ajo shtëpi më kujtoi ato që kisha dëgjuar për gjyshin, që ajo shtëpi bujare hapi shkollën e parë shqipe në 1918 në Filat.
M’u kujtua një rrëfim i gjyshes: kur familja po përgatitej të largohej, ajo i tha gjyshit të merrnin ndonjë kusi, ndonjë tepsi, ndonjë gjë tjetër që mund t’u duhej në mërgim. Por ai u përgjigj: “Jo. Kur të mbarojnë librat, po pati vend, do marrim gjë tjetër. Po s’pati vend, do marrim vetëm librat.”
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




