Matura Shtetërore- Mbi 27 mijë maturantë i nënshtrohen sot provimit të Gjuhës së Huaj
Mbi 27 mijë nxënës ulen sot në bankat e shkollave për t’iu nënshtruar provimit të Gjuhës së Huaj.
Provimi nis në orën 10:00 dhe do të zgjasë dy orë e 30 minuta, ndonëse maturantëve do u duhet të paraqiten që në orën 08:30 në ambientet e shkollave përkatëse.
Ata duhet të kenë me vete një mjet identifikimi, kartë ID ose pasaportë, ndërsa iu është ndaluar kategorikisht mbajtja e telefonit apo orëve smart.
Ky është provimi i parë për mbi 27 mijë maturantë, ndërsa më 10 qershor do u duhet të testohen për njohuritë në Gjuhën Shqipe, më 17 qershor në Matematikë dhe më 24 qershor do të zhvillohet Provimi me Zgjedhje. Ky i fundit ofron një gamë të gjerë lëndësh, duke përfshirë: Shkencat e Natyrës: Kimi, Fizikë, Biologji, Shkencat Shoqërore: Histori, Gjeografi, Qytetari dhe Psikologji, Filozofi dhe Sociologji dhe Ekonomia dhe Artet: Ekonomi, Histori Arti, Histori Muzike, Histori Baleti.
Të gjitha provimet fillojnë në orën 10:00 dhe përfundojnë në orën 12:30.
Për orientimin dhe përgatitjen e maturantëve, testet model për provimet e ardhshme janë shpërndarë shumë më herët në të gjitha shkollat, duke i orientuar nxënësit për formatin dhe kërkesat e provimeve në mënyrë që ata të jenë sa më të përgatitur për provimet e Maturës.
Procesi i hartimit, administrimit dhe vlerësimit të testeve do të realizohet nga Qendra e Shërbimeve Arsimore (QSHA), duke siguruar standardet më të larta të transparencës dhe korrektësisë.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




