Raporti për Shqipërinë në PE, Berisha nga Brukseli: Dënoi ligjin e investimeve strategjike

Politikë | 1 vit më parë

Kryedemokrati Sali Berisha ka komentuar nga Brukseli raportin e miratuar nga Komisioni për Politikën e Jashtme në PE për Shqipërinë.

Sipas Berishës, ky raport është damkë ndaj regjimit të qeverisë ”Rama” dhe regjimit të instaluar që shkelmon të drejtat themelore, të drejtën e informimit, lirinë e shprehjes dhe të drejtën e pronës.

“Mendoj se raporti që sapo u miratua në Komisionin e Jashtëm të Parlamentit Europian, damkosi në mënyrë të qartë si kristali regjimin e Edi Ramës, si një regjim që nuk respekton shtetin ligjor, si një regjim që shkelmon të drejtat themelore, të drejtën e informimit, lirinë e shprehjes dhe të drejtën e pronës.

Në raport damkoset regjimi i Edi Ramës si një regjim në të cilin ndërhyhet politikisht fuqishëm në sistemin e drejtësisë. U shpreh shqetësimi i madh për stokun e madh të dosjeve, çka nënkupton mungesë procesi ligjor të drejtë për qytetarët shqiptarë”, deklaroi Berisha.

Kryedemokrati theksoi se raporti i miratuar me 57 vota pro, denoncon atë që ai e cilëson si farsë elektorale të 11 majit.

“Ky raport denoncoi me qartësinë më të madhe farsën elektorale të 11 Majit 2025 pasi e vërteta është se raporti citon hyrjen e raportit të përbashkët të OSBE/ODIHR, Parlamentit Europian, Këshillit të Europës dhe Asamblesë Parlamentare të OSBE, në të cilin që në rreshtat e para thuhet se qeveria përdori burime të gjera për të dominuar në zgjedhje. Pra, faktikisht ajo do të thotë se qeveria, se shteti ligjor i shndërroi zgjedhjet në një farsë elektorale”, shton ai.

Berisha rendit disa prej atyre që sipas tij, raporti i evidenton si shkelje. “Raporti gjithashtu denoncon Olta Xhaçkën dhe Edi Ramën, jo më emra, por i denoncon në aferën e tyre. Denoncon parlamentin për moszbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese, konkretisht për Xhaçkën dhe Vullnet Sinën”, përfundon Berisha.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme