Aksion për lirimin e hapësirave publike në Shëngjin, Policia në terren për largimin e shezlongëve

Aktualitet | 1 vit më parë

Nisja e sezonit turistik ka vënë në lëvizje strukturat ligjzbatuese në Lezhë, për të garantuar rend dhe siguri për pushuesit.

Strukturat e Bashkisë, në bashkëpunim me Policinë e Shtetit, kanë ndërmarrë një aksion për lirimin e hapësirave të zaptuara në mënyrë të paligjshme përgjatë vijës bregdetare të Shëngjinit. Kjo ndërhyrje vjen në kuadër të zbatimit të vendimeve të Këshillit të Ministrave, që ndalojnë vendosjen e shezlongëve pa leje të rregullt në zonat publike të plazhit.

Nënkryetari i Bashkisë Lezhë, Fajton Zefi, thotë se monitorimi do të vijojë gjatë gjithë sezonit turistik, me qëllim zbatimin e plotë të ligjit dhe mbrojtjen e hapësirave publike, të cilat do të menaxhohen nga pushteti vendor.

“Jemi në bashkëpunim me Policinë e Shtetit dhe besoj se brenda javës ky fenomen do të zhduket plotësisht në gjithë bregdetin e Tales. Ka tendenca për të abuzuar, por ne kemi ngritur struktura për të kryer kontrolle dhe hetime çdo ditë,” u shpreh Zefi.

Gjatë kontrolleve janë vendosur gjoba ndaj disa subjekteve, kryesisht lokale plazhi, pasi sipas vendimit të fundit të Këshillit të Ministrave, vetëm strukturat hoteliere të miratuara kanë të drejtën të shfrytëzojnë hapësira të caktuara për stacione plazhi.

Sipas të dhënave zyrtare, në gjithë bregdetin e Lezhës nga Rana e Hedhur deri në Tale janë dhënë rreth 50 leje për stacione plazhi. Pjesa tjetër e bregdetit do të mbetet e lirë për përdorim publik dhe do të administrohet përmes një shoqërie të krijuar nga vetë Bashkia Lezhë.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme