Shtohen tri qendra shëndetësore verore për sezonin turistik, Deda: 300 të angazhuar dhe pajisje shtesë për shërbimet

Sociale | 1 vit më parë

Prej 1 qershorit e deri në fund të shtatorit, të gjitha të papriturat shëndetësore gjatë sezonit turistik do të përballohen nga 36 qendra shëndetësore verore, të cilat janë hapur nga Thethi në Ksamil në mbështetje të spitaleve rajonale e bashkiake, dhe urgjencave.

Këtë vit sezonit i janë shtuar 3 qendra të reja.

“Është shtuar Kisha e Shna Ndout në Laç, qendra shëndetësore verore në qafën e Pazarit të Gjirokastrës, dhe po ashtu qendra shëndetësore verore në Kalanë e Beratit,” tregon Jeta Deda, drejtore e përgjithshme e Operatorit të Shërbimeve të Kujdesit Shëndetësor.

Sipas këtij institucioni, në procesin e punësimit sezonal janë angazhuar një armatë me mjekë infermierë dhe staf mbështetës, të cilët do të punojnë me turne për të ofruar nga konsultat e deri te shërbimet e minikirurgjisë.

“Do të jenë 300 veta gjithsej, bashkë me stafet mbështetëse, të cilët do të kenë edhe stacione ambulancash të caktuara nga urgjencat kombëtare. Këtë vit i kemi të gjitha të pajisura, si me defibrilatorë, po ashtu edhe me EKG. Pra, mund të merren jo vetëm shërbime këshillimi ambulatore dhe vizita, por edhe mjeko-kirurgjikale ndonjëherë,” thotë znj. Deda.

Është parashikuar staf rezervë edhe në raste tërheqjeje.

“Këtë vit kemi pasur 600 aplikime për 227 pozicione mjekësore dhe infermierore. Brenda tre orësh, nëse na krijohet një vakancë, kemi listë pritjeje me ata që ende nuk janë përzgjedhur në fazën e parë,” deklaron drejtuesja e Operatorit të Shërbimeve të Kujdesit Shëndetësor.

Po cilat janë qendra kampion për ngarkesa në sezon?

“… qendra shëndetësore verore e Velipojës, e Shëngjinit dhe ajo e plazhit të Durrësit,” thotë ajo.

Vitin e kaluar, qendrat përballuan 80 mijë vizita, ku 32 për qind ishin turistë të huaj, ndërkohë që u shpëtuan 70 jetë nga incidentet gjatë pushimeve.

Gazetare: Sonila Mlloja

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme