Noka: 11 Maji ishte farsë, e kthyet në treg votash. Balla: Pretendimet tuaja po bien, po turpëroheni para publikut

Deputeti demokrat, Flamur Noka, akuzoi Partinë Socialiste për vjedhje të votave në zgjedhjet e 11 majit. Nga foltorja e Kuvendit, Noka tha se zgjedhjet e 11 majit ishin “një farsë”, teksa pretendoi se PS i siguroi votat përmes shantazhimit, blerjes dhe tjetërsimit.
“Shqipëria ka varrosur votën e lirë dhe zgjedhjet e lira. Është gjymtuar demokracia. Demokracisë këtu i qëndron veç fasada. Themelet e pushtetit tuaj sot qëndrojnë mbi votën e blerë, të shantazhuar të tjetërsuar. 11 maji ishte një farsë. Ishte farsë sepse e panë të gjithë, shqiptarët dhe ndërkombëtarët që më 11 maj nuk pat përballje alternativash, nuk pat përballje mes programeve që paraqet njëra apo tjetra forcë. Ju opozitës i vendosët përballë të gjithë shtetin, sëbashku me bandat, krimin e organizuar, trafi9kanët e drogës dhe kartelet. Sollët më 11 maj para shqiptarëve shtetin elektoral që bazohet në censurën mediatike. Pushteti juaj nuk ka legjitimitet sepse nuk bazohet në votë, e grabitët atë”, tha ai.
Në përgjigje të Nokës, Ministri Taulant Balla tha se pretendimet e opozitës po bien. Sipas tij, PD “po turpërohet para publikut”.
“E kuptoj shumë mirë gjithçka që jeni duke bërë, edhe përpjekjen tuaj haluçinante në KQZ, ku çdo ditë po turpëroheni para publikut sesi po bien një nga një të gjitha pretendimet tuaja. Jeni turrur pas 130 mijë të ashtuquajtura vota. Kjo që bën ti është e dënueshme, ti nëse këtë e ke provë, pse nuk shkon ta dorëzosh në prokurorinë e Posaçme? Por kjo që thua ti është vepër penale. Sipas teje na paskan ngelur votat në Londër dhe i paskemi numëruar ne këtu. Unë e kuptoj që ju i shmangeni një beteje të brendshme. Zgjedhjet në Shqipëri kanë përfunduar. Ju keni marrë 300 mijë e kusur më pak vota, se ku ju kanë shkuar votat ju nuk është puna jonë, gjejini ku kanë shkuar”, u shpreh Balla.
Partia Demokratike, e cila garoi si pjesë e koalicionit PD-ASHM në zgjedhjet e 11 majit, mori 53 mandate, por pretendon për një proces zgjedhor të parregullt, duke mos pranuar rezultatin. Ata kanë ankimuar në KAS rezultatin e zgjedhjeve për shumicën e qarqeve në vend.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




