Përplasje në Los Anxhelos dhe debat i ndezur mbi veprimet e Trump

Një valë përplasjesh mes protestuesve dhe zyrtarëve të imigracionit në Los Anxhelos ka ndezur një debat të fortë në skenën politike amerikane, duke ndarë opinionet nëse veprimet e Presidentit, Donald Trump po mbjellin kaos apo po kërkojnë të ulin tensionet. Reagimet e politikanëve pasqyruan këtë përçarje.
Akuzat e demokratëve: Drejt autoritarizmit dhe kaosit
Senatorët demokratë kanë shprehur shqetësime të thella për vendimin e Trump për të përfshirë Gardën Kombëtare pa pëlqimin e Guvernatorit të Kalifornisë, Gavin Newsom.
Senatori Bernie Sanders i tha CNN se Trump po e “çon këtë vend me shpejtësi drejt autoritarizmit”, duke argumentuar se vendimi tregon se Trump “mendon se ka të drejtë të bëjë çfarë të dojë.”
Në të njëjtën linjë, Senatori Corey Booker shprehu dakordësinë me NBC-në, duke theksuar se vendimi i Trump thyen “tradita brezash”dhe kjo “vetëm do ta nxisë situatën.” Booker paralajmëroi gjithashtu se Trump po “mbjell kaos dhe konfuzion” duke arrestuar njerëz “që po përpiqen t’i përmbahen ligjit” në seancat dëgjimore për imigracionin.
Republikanët: Një përpjekje për të ulur tensionet
Nga ana tjetër, Senatori republikan James Lankford i sugjeroi NBC-së se Trump po kërkon vetëm të “ulë tensionet.” Ai argumentoi se është e qartë që forcat policore të Los Anxhelosit po “mbyllen” dhe se qëllimi është të sigurohet që protestat të mos dalin jashtë kontrollit.
Pse Trump dërgoi Gardën Kombëtare?
Presidenti Donald Trump ka deklaruar më parë se protestat që pengojnë zbatimin e ligjeve të imigracionit “përbëjnë një formë rebelimi”kundër qeverisë amerikane. Duke u mbështetur në Titullin 10 të Kodit të SHBA-së, i cili lejon presidentët të federalizojnë Gardën Kombëtare në rast “rebelimi ose rreziku për një rebelim,” Trump ka dërguar 2,000 anëtarë të Gardës Kombëtare në Los Anxhelos.
Një deklaratë nga Shtëpia e Bardhë bëri të ditur se anëtarët e Gardës Kombëtare do të “mbrojnë përkohësisht ICE-në dhe personelin tjetër të Qeverisë së Shteteve të Bashkuara që po kryejnë veprime federale.” Këta trupa do të vendosen për 60 ditë, me vendimin përfundimtar që i takon Sekretarit të Mbrojtjes.
Vendimi i Trump për të federalizuar Gardën Kombëtare, e cila normalisht është nën kontrollin e shtetit, është i pazakontë. Kjo praktikë është përdorur në të kaluarën gjatë epokës së të Drejtave Civile nga Presidentët Eisenhower, Kennedy dhe Johnson për të ndihmuar në zbatimin e të drejtave civile dhe ruajtjen e rendit publik. Rastet e tjera përfshijnë trazirat e Detroitit të vitit 1967, trazirat pas vrasjes së Martin Luther King Jr në vitin 1968, grevën e postës së Nju Jorkut në vitin 1970, dhe hera e fundit ishte gjatë trazirave të vitit 1992 në Los Anxhelos.
Përmbledhje e ngjarjeve të fundit në Los Anxhelos:
- Arrestime dhe ndalime: Një person është arrestuar dhe disa të tjerë janë ndaluar pas protestave të mbrëmshme, sipas Departamentit të Sherifit të Qarkut të Los Anxhelos.
- Lëndime të oficerëve: Dy ndihmës policie u trajtuan në spital për lëndime, por janë liruar.
- Vendosja e Gardës Kombëtare: Donald Trump ka vendosur Gardën Kombëtare, e cila pritet të mbërrijë brenda 24 orëve. Guvernatori i Kalifornisë, Gavin Newsom, ka paralajmëruar se ky veprim vetëm sa do të “përshkallëzojë tensionet.”
- Shkaku i trazirave: Trazirat në qytetin Paramount, Los Anxhelos, të cilat filluan të premten, vijnë pas bastisjeve të imigracionit nga zyrtarët e Imigracionit dhe Doganave (ICE), të cilët kanë përdorur gaz lotsjellës dhe “municione më pak vdekjeprurëse.”
- Politika e Trump: ICE ka arrestuar dhe deportuar migrantë pa dokumente si pjesë e politikës së imigracionit të Trump. Që nga rikthimi i tij në janar, arrestimet e ICE kanë kaluar 100,000.
Çfarë është ICE?
Zyra e Imigracionit dhe Doganave (ICE) është agjencia federale që identifikon njerëzit në SHBA që qëndrojnë ilegalisht dhe kryen arrestime dhe deportime. Shtëpia e Bardhë deklaroi se “turma të dhunshme kanë sulmuar oficerët e ICE-së dhe agjentët federalë të zbatimit të ligjit që kryejnë operacione bazë të deportimit në Los Anxhelos, Kaliforni.” Tom Homan, “cari kufitar” i Trump, i cili mbikëqyr operacionet e ICE-së, ka paralajmëruar “tolerancë zero” për çdo dhunë apo dëmtim të pronës private gjatë protestave.
Debati mbi veprimet e Presidentit Trump dhe pasojat e tyre mbi rendin publik dhe të drejtat civile pritet të intensifikohet në ditët në vijim. BBC
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




