SPAK zgjat me 6 muaj hetimet për Ilir Metën, avokati: Inkuizicioni ndaj presidentit, i paprecedentë në Europë

Aktualitet | 1 vit më parë

Prokuroria e Posaçme Antikorrupsion (SPAK) i komunikoi të hënën ish-presidentit Ilir Meta zgjatjen me gjashtë muaj të hetimeve për akuzat e ndryshme që rëndojnë ndaj tij.

Kjo është hera e dytë që SPAK-u kërkon të thellohet në prova të reja, duke i konsideruar “të pamjaftueshme” provat e deritanishme, sipas avokatit të Metës, Kujtim Cakrani.

Pas njohjes me vendimin, z. Cakrani akuzoi se mbajtja në paraburgim e ish-presidentit është vetëm “çështje politike”.

“Nesër përfundon afati 1-vjeçar i regjistrimit të presidentit si person nën hetim. Duke parë që afati përfundon nesër, prokurorët e SPAK-ut vendosën të zgjasin hetimet edhe 6 muaj sipas procedurës. Problemi qëndron që nuk kanë akoma prova të mjaftueshme dhe po presin prova të reja, të cilat as ne nuk i dimë.

Kjo vepër penale, për të cilën akuzohet presidenti Meta, është regjistruar në dhjetor të vitit 2019, një javë pas z. Altin Dumani nisi punën si prokuror i SPAK-ut. Kanë kaluar afërsisht 6 vite dhe SPAK-u akoma nuk ka mbledhur akoma provat për të inkriminuar ose për të marrë në përgjegjësi penale presidentin e Republikës. Presidenti i Republikës, sot që po flasim, po rri në paraburgim. Një absurditet i jashtëzakonshëm për akuza të cilat ai nuk i di,” tha avokati i Metës.

Meta dhe ish-bashkëshortja e tij, Monika Kryemadhi, po hetohen për aferën CEZ-DIA, skandalin e lobimit të LSI-së në SHBA dhe hetimin pasuror. Ndaj të dyve rëndojnë tri akuza për pastrim parash, korrupsion dhe mosdeklarim pasurie. Sipas z. Cakrani, akuzat janë politike.

“Përse mbahet presidenti i Republikës në paraburgim? Ky është thelbi i gjësë! Ju e dini shumë mirë pse mbahet, sepse çështja është politike. Çështjet politike mbajnë në paraburgim. Nuk ka si t’i vëmë emër tjetër, kur ky procedim ka nisur 6 vite më parë. Inkuizicioni që po bëhet ndaj presidentit të Republikës është i paprecedentë sot në Europë. Është absolutisht e pamoralshme, por edhe joligjore, që të mbash presidentin e Republikës pafundësisht në paraburgim,” tha ai.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme