SPAK thërret Sali Berishën për të dëshmuar në lidhje me padinë e gjyqtares Irena Gjoka

SPAK ka thirrur ish-kryeministrin Sali Berisha për t’u paraqitur më 10 qershor 2025, ora 10:00, për të dhënë deklarime si person që ka dijeni lidhur me një kallëzim penal të bërë nga gjyqtarja Irena Gjoka. Thirrja është bërë nga prokurori i SPAK, Elvin Gokaj.
“Paraqitja e shtetasit të mësipërm kërkohet me qëllim pyetjen e tij si person që ka dijeni për rrethanat e hetimit, të lidhura me hetimet paraprake të procedimit penal nr. 193, viti 2024, të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.
Në rast mosparaqitjeje, pa pasur pengesa të ligjshme, në bazë të nenit 312 të Kodit të Procedurës Penale, personi i njoftuar paralajmërohet se do të urdhërohet shoqërimi i detyrueshëm”, thuhet në shkresën e prokurorit,
Padia është bërë nga gjyqtarja Irena Gjoka në tetor 2024, pas një sërë deklaratash publike nga Sali Berisha, të cilat ajo i konsideron si shpifje. Gjyqtarja Gjoka është e njëjta që firmosi masën e “arrestit shtëpiak” për Berishën në kuadër të hetimeve për çështjen e kompleksit “Partizani”.
Në padi, gjyqtarja Gjoka ka kërkuar që SPAK të hetojë deklaratat e bëra në media nga vajza e Berishës, e cila pretendon se ekziston një video komprometuese që e lidh gjyqtaren me marrjen e një shume prej 500 mijë eurosh, me një ish-deputet të Partisë Socialiste, në këmbim të lehtësirave ligjore.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



