Kryeministri Rama: Po negociojmë për të sjellë në Shqipëri “Globe Soccer Awards”

Në rubrikën “Sy m’Sy’ në rrjetin social Facebook, Kryeministri Edi Rama ka bërë me dije se po punohet për të sjellë në Shqipëri edicionin europian të “Globe Soccer Awards” (Çmimet e Globit në Futboll).
Teksa e konsideroi një eveniment të jashtëzakonshëm, kreu i qeverisë deklaroi se dy vendet pretendente për t’u zgjedhur janë Madridi dhe Shqipëria, ndërsa shpreson që vendi ynë të zgjidhet për të dhënë çmimin e futbollistit më të mirë të vitit.
“Ndërkohë jemi në një diskutim së fundi për të sjellë në Shqipëri, 95% në Tiranë, sepse jemi duke diskutuar edhe Durrësin e Vlorën si opsione, edicionin europian të ‘Globe Soccer Awards’ (Çmimet e Globit në Futboll).
Është një eveniment i jashtëzakonshëm që mbahet në mënyrë të përvitshme sa i përket edicionit të vet global në Dubai dhe prej edicionit europian, organizatorët janë në një diskutim me Madridin dhe me ne këtu në Shqipëri. Kemi shumë arsye të besojmë se zgjedhja do jemi ne dhe do jetë fantastike që çmimin e futbollistit më të mirë të vitit nga Globe Soccer, Lamine Yamal t’ia japim këtu në Tiranë”, deklaroi Rama, teksa shtoi se po punohet gjithashtu për të sjellë në Shqipëri një edicion të Padel International.
“Ndërkohë po punojmë edhe me Padel International, aktivitet i jashtëzakonshëm me mbulim të jashtëzakonshëm në gjithë botën që të sjellim në Shqipëri një edicion të tij”, tha ai.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




