Deputeti PD kërkon ndryshime në Kodin e Punës, ambient të posaçëm për falje në punë dhe 2 orë pushim për faljen e së Premtes
Në Komisionin për Punën, Çështjet Sociale dhe Shëndetësinë, deputeti Lefter Gështenja ka propozuar ndryshime ligjore ku kërkohet krijimi i ambienteve të posaçme për punëmarrësit e besimit mysliman, respektimi e orareve të faljes sipas njoftimeve paraprake, si dhe 2 orë për faljen e ditës së premte.
“Këto ndryshime në Kodin e Punës bëjnë të mundur që institucionet publike dhe privatë ta kenë taksative të detyruar në Kodin e Punës, që këto njerëz që besojnë të shkojnë të kryejnë ritet e tyre fetare”, sugjeroi deputeti Gështenja.
“Doja të dija se në cilin vend të BE-së, janë këto ndryshime në Kodin e Punës”, iu kundërpërgjigj, anëtarja e PS-së, Klodiana Spahiu.
“Në momentin që një besimtar i besimit mysliman do të shkëputet për të bërë ritin e tij fetar, atëherë ai pengon procesin zinxhir dhe është i detyruar të shkëputet këtu edhe punonjësi tjetër, që nuk është i atij besimi. Por ndërkohë dihet që puna është e normuar. E keni marrë parasysh në studimin tuaj?”, tha anëtarja Lindita Buxheli.
“Përsa kohë kjo është e mundur, për shkak të natyrës së punës. Nëse kjo është e pamundur, nuk mund të themi që të lërë punën”, u shpreh deputeti Gështenja.
Në Komision pati diskutime rreth identifikimit të modeleve dhe praktikave që mundësojnë këto ndryshime si dhe mbarëvajtjen e proceseve zinxhir të punës.
Në përfundim të mbledhjes, kryetarja Zheni Gjergji bëri të ditur se ndryshimet e propozuara do të diskutohen sërish në një mbledhje të ardhshme ku edhe do të votohet për këto ndryshime.
Gazetar: Omer Saraçi
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




