Pas marrëveshjes në Stamboll, Ukraina dhe Rusia shkëmbejnë ushtarë të plagosur dhe të sëmurë

Europë | 1 vit më parë

Rusia dhe Ukraina kanë shkëmbyer më shumë të burgosur ushtarakë të martën, pas dakordimit mes dy palëve në bisedimet e zhvilluara në Stamboll javën e kaluar, raporton Reuters.

Sipas presidentit ukrainas Volodomyr Zelensky, gjatë këtij shkëmbimi janë liruar ushtarë “të plagosur rëndë dhe të sëmurë nga kategori të caktuara”, ndërsa nuk është bërë i ditur numri i saktë.

“Ne vazhdojmë të kthejmë njerëzit tanë, siç u ra dakord në Stamboll. Sot shënohet faza e parë e kthimit të ushtarëve tanë të plagosur rëndë dhe të sëmurë nga robëria ruse. Të gjithë ata kanë nevojë për ndihmë të menjëhershme mjekësore. Ky është një akt i rëndësishëm humanitar,” është shprehur Zelensky.

Sipas tij, nga shkëmbimi, janë kthyer ushtarë nga komponentë të ndryshëm të Forcave të Mbrojtjes dhe Sigurisë së Ukrainës: Forcat e Armatosura, Garda Kombëtare, Shërbimi Kufitar i Shtetit të Ukrainës dhe Shërbimi Special i Transportit të Shtetit.

“Shkëmbimet duhet të vazhdojnë. Po bëjmë gjithçka që mundemi për të gjetur dhe kthyer çdo person që mbahet peng. Jam mirënjohës të gjithëve që ndihmojnë,” ka thënë tutje presidenti i Ukrainës.

Në një deklaratë, inteligjenca ushtarake ukrainase tha se shumica e ushtarëve të liruar kishin lëndime dhe sëmundje serioze, duke përfshirë amputime, infeksione dhe trauma.

Gjithashtu tha se për shkak të konsideratave të sigurisë, numri i saktë i të liruarve do të shpallet vetëm pasi të përfundojë procesi i shkëmbimit.

Ministria e mbrojtjes në Moskë tha se rusët e liruar në dorëzimin e fundit ndodhen aktualisht në Bjellorusi, e cila kufizohet me të dy vendet ndërluftuese, dhe do të kthehen në Rusi për trajtim mjekësor dhe rehabilitim.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme