Modernizimi i plotë i regjistrimit të pronave, Kadastra Shqiptare prezanton “Udhërrëfyesin e Digjitalizimit”

Agjencia Shtetërore e Kadastrës (ASHK) ka prezantuar sot, në mbledhjen e Komitetit Drejtues të projektit “EU for Property Rights”, dokumentin strategjik “Udhërrëfyesi i Digjitalizimit”.
Ky hap thelbësor shënon fillimin e transformimit të sistemit kadastral në Shqipëri, duke synuar një modernizim rrënjësor të shërbimeve të regjistrimit të pasurive.
Dokumenti “Udhërrëfyesi i Digjitalizimit” është rezultat i një analize të thelluar, i cili përcakton qartësisht hapat konkretë proceduralë dhe teknikë, si dhe angazhimet institucionale të nevojshme për përmbushjen e objektivave të projektit.
Kjo strategji synon të bëjë procesin e regjistrimit të pronave më efikas, transparent dhe të aksesueshëm për qytetarët.
Paralelisht me digjitalizimin, projekti “EU for Property Rights” fokusohet edhe në përmbylljen me sukses të procesit të regjistrimit fillestar në të gjithë territorin e Shqipërisë. Ky proces është jetik për garantimin e sigurisë juridike të pronësisë, e cila është një shtyllë kryesore për zhvillimin ekonomik të vendit.

Drejtuesja e ASHK-së, Lorena Goxhobelli, siguroi se institucioni është “i përkushtuar për digjitalizimin e plotë të të dhënave kadastrale dhe për përmbylljen me sukses të Regjistrimit Fillestar në të gjithë territorin e vendit.”
Ky projekt, i mbështetur nga Bashkimi Evropian, pritet të sjellë një ndikim të madh në shërbimet publike dhe në mbrojtjen e të drejtave të pronësisë, duke i dhënë një shtysë të re zhvillimit të sektorit të pasurive të paluajtshme në Shqipëri.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




