Hegseth: SHBA do të shkurtojnë ndihmën ushtarake për Ukrainën

Botë | 1 vit më parë

Shtetet e Bashkuara do të zvogëlojnë fondet e alokuara për ndihmë ushtarake për Ukrainën në buxhetin e ardhshëm të mbrojtjes. Lajmi u bw me dije nga Sekretari i Mbrojtjes i SHBA-së, Pete Hegseth, në një seancë dëgjimore në Kongres.

“Është një reduktim në këtë buxhet. Kjo administratë ka një pikëpamje shumë të ndryshme për atë konflikt. Ne besojmë se një zgjidhje paqësore e negociuar është në interesin më të mirë të të dyja palëve dhe interesave të kombit tonë, veçanërisht me të gjitha interesat konkurruese në të gjithë globin”, u tha Hegseth ligjvënësve në Dhomën e Përfaqësuesve të SHBA-së.

Pentagoni ende nuk e ka publikuar dokumentacionin e plotë në lidhje me buxhetin e tij të vitit 2026. Sipas Hegseth, buxheti në pritje “siguron një nivel historik financimi për gatishmërinë ushtarake, duke i vënë luftëtarët (amerikanë) dhe nevojat e tyre në radhë të parë” .

Hegseth nuk zbuloi detaje në lidhje me shkallën e shkurtimeve të fondeve për Ukrainën. Njoftimi i Pentagonit vjen pas javësh sulmesh intensive ruse ndaj qyteteve ukrainase, duke përfshirë sulme rekord me dronë kundër Kievit. Mes sulmeve ajrore në rritje, Presidenti Volodymyr Zelensky i ka kërkuar SHBA-së të mbështesë Ukrainën me sisteme kritike të mbrojtjes ajrore. 

Ukraina ka ofruar t’i blejë këto sisteme menjëherë në vend që të kërkojë ndihmë ushtarake.

Që kur Rusia nisi pushtimin e plotë të Ukrainës në shkurt të vitit 2022, SHBA-të i kanë dhënë Kievit mbi 66 miliardë dollarë mbështetje për mbrojtjen. Por Presidenti i SHBA-së Donald Trump ndaloi miratimin e paketave të reja të ndihmës ushtarake për Kievin kur filloi mandatin e tij të dytë në janar.

Nën udhëheqjen e Trump, politika e Uashingtonit ndaj Ukrainës ndryshoi në mënyrë dramatike. Thirrjet për të mbështetur pavarësinë dhe sovranitetin e Ukrainës janë zëvendësuar me kërkesat që Ukraina të bëjë një marrëveshje me Rusinë, dhe Trump herë pas here e ka sulmuar Zelenskyn.

Pas përplasjes famëkeqe të udhëheqësve gjatë një takimi në Zyrën Ovale në shkurt, SHBA-të pezulluan përkohësisht të gjithë ndihmën ushtarake për Ukrainën. Hegseth, i cili urdhëroi ndërprerjen e përkohshme, gjithashtu nuk mori pjesë në takimin më të fundit të Grupit të Kontaktit për Mbrojtjen e Ukrainës më 4 qershor – mungesa e parë e tillë nga një shef i mbrojtjes i SHBA-së që nga fillimi i pushtimit në shkallë të plotë.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme