100-vjetori i BSH, Sejko: Integrimi i Shqipërisë drejt BE-së, shtyllë qendrore e reformave

Ekonomi | 1 vit më parë

Integrimi dhe anëtarësimi i plotë i Shqipërisë në Bashkimin Europian ka qenë dhe mbetet prioritet edhe për Bankën e Shqipërisë.

Guvernatori Gent Sejko tha se institucioni që ai drejton luan një rrol të qenësishëm, duke përafruar praktikat dhe politikat ekonomike me standardet europiane.

“Rruga e Shqipërisë drejt integrimit në Bashkimin Evropian ka qenë një shtyllë qendrore e reformave institucionale dhe ekonomike. Banka e Shqipërisë luan një rol tepër të rëndësishëm në këtë proces, duke përafruar politikat dhe praktikat e saj me standardet evropiane me synim forcimin e qëndrueshmërisë, transparencës dhe reziliencës së nevojshme për anëtarësim. Me vështrimin drejt së ardhmes, përkushtimi ynë mbetet i palëkundur: të forcojmë gatishmërinë institucionale, të thellojmë bashkëpunimin rajonal dhe të sigurojmë që sistemi financiar i Shqipërisë të jetë i përgatitur për të përballuar sfidat dhe për të përfituar nga mundësitë e një të ardhmeje të integruar evropiane,” u shpreh z. Sejko.

Guvernatori i bankës qendrore konfirmoi gatishmërinë për sfidat dhe për të përfituar nga mundësitë e reja që do të sjellë integrimi europian.

“Këto sfida apo mundësi të reja, si monedhat digjitale, rreziqet klimatike, inteligjenca artificiale dhe inovacioni financiar, po transformojnë peizazhin financiar global. Shqipëria nuk bën përjashtim. Dekadat e ardhshme do të kërkojnë shkathtësi, largpamësi dhe bashkëpunim të ngushtë me partnerët evropianë dhe ndërkombëtarë. Duhet të vazhdojmë të forcojmë kapacitetin tonë institucional, jo vetëm për të përmbushur mandatin tonë kryesor, por edhe për të mbështetur stabilitetin dhe mirëqenien e qytetarëve shqiptarë,” deklaroi guvernatori Sejko.

Këto deklarata ai i bëri gjatë konferencës për 100-vjetorin e krijimit të bankës qendrore shqiptare, ku merrnin pjesë studiues vendas dhe të huaj, si dhe ekspertë nga bankat qendrore të rajonit, për të diskutuar mbi rolin e bankave qendrore dhe historinë ekonomike.

Gazetar: Hajri Mahmutaj

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme