Ish-rektori Dhori Kule në SPAK, pyetet për mikrokreditë si anëtar i Këshillit Mbikëqyrës të BSH
Ish-dekani i Fakultetit të Ekonomisë, Dhori Kule, u paraqit paraditen e kësaj të mërkure në ambientet e Prokurorisë së Posaçme (SPAK) në kuadër të hetimeve për skemën e mashtrimit me mikrokreditë.
Pas rreth një ore në Prokurori, Kule deklaroi për mediet se ishte thirrur për të dhënë sqarime në lidhje me rolin e tij si ish-anëtar i Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë.
“Ishim për një sqarim për ato problemet kur kemi qenë në Këshillin Mbikëqyrës të Bankës. I sqaruam,“, u shpreh ai shkurt.
Çështja ka nisur që në maj të vitit të kaluar, kur autoritetet zbuluan një skemë të gjerë mashtrimi me mikrokredi, përmes së cilës janë zhvatur mbi 17 mijë qytetarë shqiptarë nga viti 2015 e në vazhdim.
Sipas SPAK, grupi përdorte skema të rifinancimit të kredive të këqija, duke imponuar kredi të reja me kushte të padrejta ndaj qytetarëve që nuk kishin mundësi shlyerjeje, dhe duke iu bllokuar pagat, pronat apo automjetet e tyre përmes shoqërive përmbarimore.
Dëmi i përllogaritur nga hetimi kap shifrën e 36,8 milionë eurove dhe 1.700 pronave të paluajtshme të përvetësuara në mënyrë të paligjshme.
Gazetare: Lusi Përgjegji
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




