Nderohet figura e Bujar Bukoshit, homazhe në Kuvendin e Kosovës! Kurti: Emër kyç në historinë e çlirimit të vendit

Kosovë | 1 vit më parë

Mbahet mbledhja komemorative në nderim të një prej figurave më të rëndësishme politike dhe intelektuale të Kosovës, Bujar Bukoshit i cili u nda nga jeta dy ditë më parë.

Në fjalën e tij në mbledhjen përkujtimore, Kryeministri në detyrë, Albin Kurti u shpreh se Bukoshi ishte një ndër figurat më të rëndësishme politike të viteve ’90-të.

“Sot janë mbushur 26 vjet nga çlirimi i Kosovës dhe sa herë që i qasemi historisë, një nga emrat kyç që kujtojmë është ai i Dr. Bukoshit. Në kronikat dhe lajmet e asaj kohe, emri i tij ishte gjithandej. Bujar Bukoshi ishte dhe do të mbetet histori si kryeministri i parë i Republikës së Kosovës. Emri i tij është përjetësuar edhe në dokumentin themeltar të Deklaratës së Pavarësisë së Kosovës.”, deklaroi Kurti.

Bujar Bukoshi u vlerësua si një prej figurave më të rëndësishme politike dhe intelektuale të Kosovës, duke luajtur rol kyç në rezistencën ndaj regjimit serb dhe sensibilizimin ndërkombëtar për çështjen e Kosovës.

Me rastin e ndarjes nga jeta të ish-kryeministrit në ekzil të Kosovës, Dr. Bujar Bukoshi, në hollin e Kuvendit të Kosovës do të mbahen homazhe në nder të figurës së tij. Homazhet, të cilat nisin nga ora 10:00 deri në orën 13:00, do të mbledhin përfaqësues të institucioneve, personalitete publike dhe qytetarë të shumtë që erdhën për të nderuar jetën dhe veprën e tij.

Ish-kryeministri Bujar Bukoshi, një nga figurat qendrore të skenës politike të viteve ’90 në Kosovë, ka ndërruar jetë në moshën 78-vjeçare, pas një sëmundjeje të rëndë.

Bukoshi ishte kryeministri i parë i qeverisë së Kosovës në ekzil pas shpalljes së Republikës më 1991 dhe për afro një dekadë punoi nga Gjermania për të sensibilizuar botën perëndimore për represionin serb në Kosovë.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme