Dita Ndërkombëtare kundër Punës së Fëmijëve, UNICEF: 138 milionë të mitur të punësuar gjatë 2024

Gati 138 milionë fëmijë në mbarë botën kanë qenë të përfshirë në punë gjatë vitit 2024, mes të cilëve 54 milionë fëmijë në punë të rrezikshme, sipas raportit të fundit të publikuar nga Organizata Ndërkombëtare e Punës (ILO) dhe UNICEF. Raporti publikohet në një kohë kur 12 qershori shënon Ditën Ndërkombëtare kundër punës së fëmijëve. Çdo fëmijë ka të drejtë të mbrohet nga shfrytëzimi ekonomik që përfshin kryerjen e çdo pune që paraqet rreziqe për shëndetin fizik e mendor dhe që cenon edukimin e tyre.
Sipas të dhënave, është shënuar një ulje me më shumë se 20 milionë fëmijë krahasuar me vitin 2020, duke përmbysur rritjen shqetësuese të periudhës 2016–2020. Megjithatë, raporti thekson se vendet kanë dështuar të përmbushë objektivin për eliminimin e punës së fëmijëve deri në vitin 2025.
Raporti ngre alarmin për faktin se miliona fëmijë ende nuk kanë mundësi të mësojnë, të luajnë dhe të jetojnë si fëmijë.
“Fëmijët e kanë vendin në shkollë, jo në punë. Por për të ndalur këtë fenomen, prindërit duhet të kenë punë të denjë që të mos kenë nevojë të mbështeten te puna e fëmijëve”, deklaroi Drejtori i Përgjithshëm i ILO-s, Gilbert F. Houngbo.
Bujqësia mbetet sektori me përqindjen më të lartë të punës së fëmijëve (61%), ndjekur nga shërbimet (27%) – përfshirë punët shtëpiake dhe tregtinë – dhe industria (13%), si minierat dhe prodhimi.
Afrika Sub-Sahariane mban peshën më të madhe, me 87 milionë fëmijë, ose rreth dy të tretat e totalit global.
“Shumë fëmijë punojnë ende në kushte të rënda për të mbijetuar. Vetëm përmes investimeve në arsim, mbrojtje sociale dhe punë të denjë për të rriturit, mund ta ndalim këtë praktikë”, u shpreh Drejtoresha Ekzekutive e UNICEF-it, Catherine Russell.
Raporti nënvizon se financimi global dhe vendor për edukim, mbrojtje sociale dhe siguri ekonomike për familjet është jetik. Ulja e investimeve në këto fusha mund të çojë në kthim pas të progresit dhe të detyrojë më shumë familje të përfshijnë fëmijët në punë.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




