Rusmajli debat me Logun në KAS, ndërpritet seanca për Elbasanin

Aktualitet | 1 vit më parë

Një përplasje verbale mes relatorit të Komisionit të Ankimeve dhe Sanksioneve (KAS), Ilirjan Rusmajli dhe përfaqësuesit të Partisë Demokratike, Marash Logu, solli ndërprerjen e seancës së sotme ku po shqyrtohej ankesa për pavlefshmërinë e rezultatit zgjedhor në qarkun e Elbasanit.

“Ju lutem. Duhet të rivendoset qetësia në sallë përpara se të vijojmë. Qetësia dhe komunikimi korrekt me njëri-tjetrin. Këtë seancë e drejtoj unë,” u shpreh z. Rusmajli.

Debatet nisën pasi z. Logu kërkoi shpjegime nga drejtoresha për votën e diasporës, Jona Josifi, lidhur me deklaratat e Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve për shpenzimet e kursyera nga mosrealizimi i votimit për emigrantët.

Josifi: Diferenca midis buxhetit, fondit limit dhe vlerës së ofertës fituese është ajo që është kursyer, rreth 3 milionë euro.

Rusmajli: Keni qenë nikoqirë në tenderim?

Josifi: Po, ekzakt.

Rusmajli: Nuk ka lidhje me procesin tonë.

Logu: A mund ta konfirmoni që Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është duke bërë vlerësim të dokumentacionit që ka paraqitur DHL-ja për rastin që mungon në shkrim, ose ka vizë dhe pikë në mënyrë që ato zarfe të mos paguhen me koston 37,5 euro për zarf zgjedhor?

Josifi: KQZ-ja do të vijojë me zbatimin e kontratës, me përmbushjen e detyrimeve kontraktuale sipas dispozitave të kontratës. Unë nuk mund të komentoj çështje të pagesës ose jo.

Kujtojmë se në përfundim të procesit të transportimit të votës së diasporës, kompania postare DHL ka prerë fatura tatimore dhe i kërkon KQZ-së vlerën e plotë të kontratës prej 9,2 milionë eurosh.

Nga ana tjetër, Komisioni i ka kërkuar DHL-së të sjellë faturë të veçantë për çdo shtet nga ka bërë transport dhe për çdo shtet të sjellë edhe një kopje elektronike të firmave të zgjedhësve që kanë tërhequr zarfet zgjedhore.

Gazetare: Rugova Dunisha

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme