Maturantët në stresin e provimeve, përllogarisin notat që duhet të marrin për të fituar degën e studimit

Sociale | 1 vit më parë

Nuk i duhet të mendohet gjatë për atë që nesër do të jetë profesioni i saj.

Xhume Shehi përfundoi tri vitet e shkollës së mesme me rezultate të larta dhe ndërkohë që i nënshtrohet provimeve të maturës, pret me padurim edhe vlerësimet e tyre, të cilat do të jenë vendimtare për të arritur degën e preferuar të studimit: atë të Mjekësisë.

“Që e vogël kam qenë midis dy zgjedhjeve, gazetaria dhe mjekësia, ama me kalimin e viteve zemra më çoi më shumë te mjekësia. Ka qenë një ëndërr që e vogël dhe shpresoj që shumë shpejt ta bëj realitet. Lëndët ku kam shkëlqyer gjithmonë kanë qenë lëndët shkencore. Nuk kam pasur një prirje të mirë te lëndët shoqërore, ‘nuk më ngjisnin shumë’ dhe i urreja ndonjëherë, por i mësoja se më duheshin për mesataren e Maturës. Matura vulos çdo gjë në jetën tonë. Është hapi i parë i një jetë të re, universiteti. Impakti i parë ka qenë shumë stresues,” tregon maturantja.

Nuk heziton të bëjë përllogaritjet e nevojshme për mesataren e tri viteve dhe për notat që duhet të marrë në provime, për të kuptuar nëse do të mund ta arrijë Mjekësinë apo jo.

“Përllogaritje sigurisht që kam bërë, si çdo maturant, që të shohë deri diku se në çfarë pike ka arritur në dymbëdhjetë vite. Mendoj që duhet të dalë mbi 9, patjetër, provimet e Maturës, që unë të shkoj te provimi i informatizuar i Mjekësisë, të kem diçka të sigurt dhe ta di se çfarë pikësh duhet të marr atje,” thotë znjsh. Shehi.

Edhe Albiona, maturantja e shkollës “Petro Nini Luarasi”, dëshiron të vijojë studimet për Mjekësi. Ajo sqaron se dëshira për ndjekjen e këtij programi studimi i është kultivuar gjatë kohës që ndiqte gjimnazin.

“Sa hyra në gjimnaz pashë që jam e prirë drejt këtyre lëndëve dhe do e zgjedh, sepse në 9-vjeçare nuk e kisha fare idenë. Të them të drejtën nuk ka ndikuar familja. Thjesht më kanë mbështetur, por nuk është se ka ndikuar dikush. Që të arrij të kap Mjekësinë, notën e Anglishtes duhet ta kem 10, të Gjuhë-Letërsisë 9,8 e sipër dhe të Matematikës e Biologjinë patjetër 10,” thotë Albiona.

Muaji qershor do të jetë vendimtar për Xhumen dhe Albionën, të cilat do t’i përkushtohen në maksimum provimeve të Maturës si udhërrëfyese për ndjekjen e ëndrrës së tyre: nisjen e studimeve universitare për Mjekësi.

Gazetare: Keti Toroveci

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme