“Gjurmë të postës në trojet shqiptare 1800–1944”, promovohet në Korçë botimi nga Fadil Smajlaj

Kulturë | 1 vit më parë

“Gjurmë të postës në trojet shqiptare 1800–1944” është libri i autorit Fadil Smajlaj, i cili u promovua në ambientet e bibliotekës “Thimi Mitko” në Korçë.

Smajlaj ka shërbyer për 35 vite pranë Postës Shqiptare, si dhe ka ndihmuar për ngritjen e Postës së Kosovës. Përmes dokumenteve të gjurmuara nëpër arkiva, ai sjell në këtë libër një historik të zgjeruar të Postës në trojet shqiptare.

“Në këtë botim kam sjellë një dokument historik, ekonomik dhe politik për Postën Shqiptare prej viteve 1800 deri në vitin 1944. Është një periudhë e vështirë, por kam arritur ta studioj, ta lexoj, ta shikoj, ta argumentoj me dokumente, jo me fjalë. Asnjë ngjarje nuk është regjistruar pa pasur tre burime kryesore,” thotë z. Smajlaj.

Në promovimin e librit ishin të pranishëm përfaqësues nga Posta Shqiptare dhe Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare, të afërm dhe dashamirës të librit.

Me një përvojë të gjatë në fushën e shërbimeve postare, Fadil Smajlaj ofron në këtë libër një analizë të thellë me dëshmi nga periudha të ndryshme të evolucionit të sistemit postar.

Ky libër është një kontribut i rëndësishëm në studimin e historisë shqiptare, që na kujton se shërbimet postare janë më shumë se thjesht një mënyrë për të dërguar letra.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme