Qeveria riorganizon pronat shtetërore në Sarandë: “Posta e Policisë Kufitare, Vivar” kalon nën administrimin e Drejtorisë së Shërbimeve Qeveritare

Këshilli i Ministrave ka miratuar një vendim të rëndësishëm që ndryshon përgjegjësinë e administrimit të disa pronave shtetërore në zonën kadastrale 2297 të Sarandës, duke i kaluar ato nga Ministria e Turizmit dhe Mjedisit nën administrimin e Drejtorisë së Shërbimeve Qeveritare (DShQ). Ky vendim, i cili wshtw publikuar tw premten edhe nw Fletoren Zyrtare, bazohet në nenin 100 të Kushtetutës dhe ligjin “Për pronat e paluajtshme të shtetit”, synon përdorimin e këtyre pronave “në funksion të përmbushjes së veprimtarisë shtetërore.”
Detajet e Vendimit
Vendimi i miratuar përfshin tre pika kryesore:
Ndryshimi i përgjegjësisë së administrimit të pronës me emërtimin “Posta e Policisë Kufitare, Vivar”, me numër pasurie 7/555/ND. Kjo pronë, e cila më parë administrohej nga Ministria e Turizmit dhe Mjedisit, tashmë do të jetë nën përgjegjësinë e Drejtorisë së Shërbimeve Qeveritare. Qëllimi është përdorimi i saj për nevoja të veprimtarisë shtetërore, detaje të të cilave janë paraqitur në formularët dhe hartat kadastrale bashkëlidhur vendimit.
Kalimi në përgjegjësi administrimi të Drejtorisë së Shërbimeve Qeveritare edhe i dy pasurive të tjera, me numra pasurie 7/539 dhe 7/541, të ndodhura gjithashtu në zonën kadastrale 2297, Sarandë. Edhe këto prona do të përdoren për të mbështetur veprimtaritë shtetërore, siç specifikohet në dokumentacionin shoqërues.
Shtimi i këtyre tre pasurive në listën e inventarit të pronave të paluajtshme publike, shtetërore, bashkëlidhur vendimit nr. 1058, datë 16.7.2008, të Këshillit të Ministrave, i cili miratonte listën e inventarit të pronave të kaluara në përgjegjësi administrimi të Këshillit të Ministrave për Drejtorinë e Shërbimeve Qeveritare.
Për zbatimin e këtij vendimi janë ngarkuar Ministria e Turizmit dhe Mjedisit, Drejtoria e Shërbimeve Qeveritare dhe Agjencia Shtetërore e Kadastrës. Ky ndryshim në administrimin e pronave tregon një riorganizim strategjik të aseteve shtetërore, me qëllim optimizimin e përdorimit të tyre për funksionet dhe nevojat e ndryshme të institucioneve qeveritare në zonën e Sarandës.
Posta Kufitare Vivar, e vendosur në krahun verior të bankinës së kanalit të Vivarit, i ka fillesat gjatë viteve ’30 të shekullit XX. Fillimisht ka shërbyer si pikë doganore për kontrollin e mallrave me varka nga Butrinti në Korfuz dhe anasjelltas. Me krijimin e Forcave Kufitare pas Luftës së Dytë Botërore, kjo ndërtesë, kreu funksionin e Postës së Kufirit për rajonin bregdetar Ksamil – Stillo. Në vitin ’75 ndërtesa u zgjerua me një hapësirë tjetër në krahun perëndimor e shërbeu si pikë kontrolli kufiri deri në vitin ’97.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




