“Janë momente të vështira”, ambasadorja e Shqipërisë në Izrael: Rreth 1 mijë shqiptarë janë këtu

Ambasadorja e Shqipërisë në Izrael, Meri Kumbe në një lidhje të drejtpërdrejtë me RTSH në emisionin “Një Shqipëri” me Mentor Nazarkon foli për situatën e vështirë në Izrael.
Ajo tha se alarmet e shpeshta nuk janë aspak të këndshme. Sipas znj. Kumbe, në Izrael jetojnë 800 deri 1 mijë shqiptarë. Ambasadorja u shpreh se mbyllja e aeroportit dhe rrugëve detare ka krijuar goxha problematika, por diplomacia shqiptare po funksionon si duhet.
Pjesë nga intervista:
“Janë momente të vështira. Kanë qenë ditë dhe net të gjata. Alarmet e shpeshta nuk janë aspak të këndshme. Duhet të jesh gjithë kohës me njerëzit, të kujdesesh për njëri-tjetrin.”
Sa shqiptarë ka sot në Izrael?
“Janë ata me qëndrim të përhershëm dhe me qëndrim të përkohshëm, që janë gjendur për arsye të ndryshme. Me qëndrim të përkohshëm janë 5 persona, me qëndrim të përherhshëm 250 persona, ndërsa shqiptarë në tërësi kemi 800 deri 1 mijë persona. Shqiptarët janë të vendosur në veri dhe në jug të vendit kryesisht. Mbyllja e aeroportit dhe rrugëve detare ka krijuar goxha problematika, pasi ishin dy mënyrat më të shpejta dhe komode për të nxjerrë qytetarët. Besoj se shumë shpejt do të kemi rezultat pozitiv.”
Po ju si po e përballoni situatën?
“Nuk është e thjeshtë, por tani siguria na është bërë rutinë. Shikojmë ku ndodhemi dhe pastaj fillojmë me punën”, tregoi ajo.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



