Rënia e prurjeve në ujësjellësin e Kukësit pritet të ndikojë në furnizimin me ujë në korrik e gusht

Aktualitet | 1 vit më parë

Vera sapo ka filluar dhe në dy burimet e ujësjellësit që furnizojnë qytetin e Kukësit bashkë me 14 fshatrat përreth ka rënie të ndjeshme të prurjeve.

Drejtori i ujësjellësit për rajonin e Kukësit, Syl Isufaj, thotë se mungesa e reshjeve dhe temperaturat e larta janë shkaqet kryesore të kësaj situate të pazakontë, e cila ka nisur më herët se vitet e tjera. Gjithsesi, sipas tij, kjo sasi uji po menaxhohet për të shkuar e plotë në çezmat e qytetarëve.

“Prurjet këtë vit kanë ardhur në rënie më herët se vitet e tjera. Shkak ka qenë mungesa e reshjeve në stinën e pranverës. Po bëjmë të pamundurën që uji që grumbullojmë të shkojë në çezmat e çdo qytetari.”, tha Isufaj.

Por, sipas drejtorit, nuk janë problem vetëm mungesa e reshjeve, por edhe ndërhyrjet e paligjshme në rrjet dhe abuzimi me ujin e pijshëm.

“Do të marrim aksione të njëpasnjëshme për ndërprerjen dhe për vënien para përgjegjësisë të qytetarëve që abuzojnë me ujin.“, theksoi ai.

I ndodhur para kësaj situate dhe duke marrë në konsideratë verën e gjatë e të thatë që na pret përpara, drejtori i ujësjellësit bën apel për të kursyer dhe për ta përdorur ujin e pijshëm sipas destinacionit që ka.

Në dy burimet e ujësjellësit, cilësia është brenda parametrave dhe duket se Kukësi është me fat që ka burime të tilla. Pavarësisht kësaj, klorifikimi i tij bëhet sipas standardeve të përcaktuara nga ISHP. Reduktimi i orarit të furnizimit me ujë për qytetarët mund të ndjehet në korrik dhe gusht.

Për momentin, qyteti merr mesatarisht 10 deri në 12 orë ujë në ditë.

Kukësi furnizohet nga burimi i Kolesjanit, burimi që mban edhe peshën më të madhe të furnizimit me ujë , por edhe nga ai i Lojmës. Paralelisht po studiohen edhe alternativa të tjera për të siguruar burime të reja për furnizimin me ujë të qytetarëve.

Gazetar: Bujar Muçmataj

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme