Papa Leoni XIV bën thirrje të re për paqe: Nuk duhet të mësohemi me luftën

Papa Leoni XIV, në fund të audiencës së përgjithshme të sotme, ka lëshuar një thirrje të fuqishme për paqe, duke kujtuar konfliktet e shumta që po shqetësojnë botën dhe Selinë e Shenjtë. Ai theksoi se “zemra e Kishës është e shqyer nga britmat që vijnë nga vendet e luftës, veçanërisht nga Ukraina, Irani, Izraeli dhe Gaza.”
Papa i ri e ka vënë çështjen e paqes në krye të agjendës së tij që nga fillimi i pontifikatit, duke ndjekur hapat e Papa Françeskut. Ai paralajmëroi kundër mësimit me konfliktin: “Nuk duhet të mësohemi me luftën, përkundrazi duhet ta hedhim poshtë si tundim joshjen e armëve të fuqishme dhe të sofistikuara.”
Një shqetësim i madh për Papën është edhe evolucioni i armatimeve. “Meqenëse në luftën e sotme përdoren armë shkencore të çdo lloji, mizoria e tyre kërcënon ta çojë luftimin në një barbari shumë më të madhe se ajo e kohërave të kaluara,” theksoi ai. Selia e Shenjtë, duke e cilësuar “imorale” jo vetëm përdorimin, por edhe thjesht posedimin e armëve atomike, është thellësisht e shqetësuar nga kërcënimi i përdorimit të armëve gjithnjë e më shkatërruese.
Papa Leoni XIV përtëriti thirrjen e tij për të lënë armët, duke cituar dy nga paraardhësit e tij të mëdhenj.
“Në emër të dinjitetit njerëzor dhe të drejtës ndërkombëtare, u përsëris atyre që janë përgjegjës atë që thoshte Papa Françesku: ‘Lufta është gjithmonë një humbje’. Dhe me Piun XII: ‘Asgjë nuk humbet me paqen, gjithçka mund të humbasë me luftën’.”
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




