Irani akuzon SHBA dhe Izraelin për dështimin e diplomacisë: Ne nuk u larguam kurrë nga tryeza

Ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araghchi, ka akuzuar Shtetet e Bashkuara dhe Izraelin se janë ata që kanë vendosur të “hedhin në erë” përpjekjet diplomatike, duke mohuar çdo sugjerim se është Irani ai që është tërhequr nga dialogu.
“Si mund të kthehet Irani në diçka që nuk e ka lënë kurrë, e lëre më ta hedhë në erë?”, deklaroi Araghchi në një prononcim për mediat.
Ai shtoi se presidenti amerikan Donald Trump ka “tradhtuar” jo vetëm Iranin, por edhe popullin amerikan.
“Ndërsa Presidenti Trump u zgjodh me një platformë për t’i dhënë fund përfshirjes së kushtueshme të Amerikës në luftëra të përjetshme në pjesën tonë të botës, ai ka tradhtuar jo vetëm Iranin duke abuzuar me angazhimin tonë ndaj diplomacisë, por edhe ka mashtruar votuesit e tij duke iu nënshtruar misionit të një krimineli lufte të kërkuar, i cili është mësuar të shfrytëzojë jetën dhe pasurinë e qytetarëve amerikanë për të çuar më tej objektivat e regjimit izraelit”, tha Araghchi.
Situata në Lindjen e Mesme u tensionua edhe më shumë kur SHBA bombardoi mëngjesin e kësaj të diele tre centrale të mëdha bërthamore në Iran, duke e futur vendin drejtpërdrejt në konfliktin Izrael-Iran. Trump tha se Irani duhet të “bëjë paqe” ose të përballet me sulme “shumë më të mëdha” në të ardhmen.
Në përgjigje, Irani paralajmëroi për “pasoja të përjetshme të sulmeve të shëmtuara”. Pas sulmeve të SHBA-së, organizata mbikëqyrëse bërthamore e OKB-së thotë se nuk është zbuluar asnjë rritje e niveleve të rrezatimit.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




