Trump përmend sërish Kosovën dhe Serbinë: Javët e fundit kemi punuar me të dyja vendet

Në konferencën e tij pas përfundimit të samitit të NATO-s në Hagë, presidenti amerikan Donald Trump përmendi edhe marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë.
Duke iu përgjigjur një pyetjeje lidhur me ambiciet territoriale të presidentit rus Vladimir Putin përtej Ukrainës, Trump theksoi se javët e fundit ai dhe administrata e tij kanë folur me Prishtinën dhe Beogradin, pa dhënë detaje të mëtejshme.
“Mundet. Dua të them që edhe mundet. Por e di diçka. Ai do që kjo punë të marrë fund, sepse është një katastrofë për të. Putini më telefonoi para disa ditësh dhe më pyeti: ‘A mund të të ndihmoj me Iranin?’ Unë i thashë, ‘Jo, mund të më ndihmosh me Rusinë!’
Në javët e fundit kemi punuar me Indinë, Pakistanin, Kosovën dhe Serbinë. Po ashtu, të premten do të na vizitojnë përfaqësues të Kongos dhe Ruandës, ku ka pasur një konflikt të ashpër”, tha presidenti amerikan.
Trump përmendi sërish Serbinë, kur u pyet për vështirësinë e mbylljes së konfliktit në Ukrainë, për të cilën tha se e kishte ndaluar, por pa përmendur specifikisht nëse kishte lidhje me Kosovën.
“Ne sapo i dhamë fund një lufte në 12 ditë, e cila po ziente prej 30 vitesh. I dhamë fund konfliktit me Ruandën dhe Kongon, të cilët do të vijnë të firmosin një dokument në Shtëpinë e Bardhë të premten. I dhamë fund edhe asaj të Serbisë, e cila po përgatitej”, tha Trump.
Kosovën dhe Serbinë, presidenti amerikan i ka përmendur edhe më herët, ndërsa fliste për konfliktin Izrael-Iran. Trump tha se gjatë mandatit të tij të parë ai ndali konfliktin mes dy vendeve të Ballkanit që ishte gati duke u shndërruar në luftë.
Ndërkohë, pak ditë më parë Qeveria në detyrë e Kosovës vendosi që të strehojë përkohësisht dhjetëra shtetas të vendeve të treta të dëbuar nga territori amerikan, gjë që u mirëprit nga pala amerikane.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




