Krimet zgjedhore- Altin Dumani: Procedime penale për zyrtarë të lartë dhe grupe kriminale, kontrolle në banesa dhe zyra

Në tryezën e organizuar për reformën zgjedhore, ku kanë marrë pjesë ekspertë dhe përfaqësues të institucioneve, kreu i SPAK-ut Altin Dumani ka bërë të ditur disa nga detajet e goditjeve të Prokurorisë së Posaçme sa i përket krimeve zgjedhore.
Sipas Dumanit, Prokuroria e Posaçme ka administruar 192 materiale gjithsej që lidhen me dyshime për krime zgjedhore. Midis 192 materialeve që dyshohen për krime zgjedhore, 43 prej tyre janë regjistruar si procedime penale.
Dumani shpjegoi edhe nisjen e hetimeve të shpejta në prag të zgjedhjeve të përgjithshme dhe gjatë fushatës zgjedhore, “përfshirë edhe rolin aktiv që ka luajtur prokuroria e Posaçme duke regjistruar 9 procedime penale kryesisht, së dyti vendosja e prioritetit të ndjekjes penale kur flitet për zyrtarë të lartë apo përfshirjen e grupeve kriminale në proceset elektorale dhe së treti bashkëpunimi me prokurorinë e Përgjithshme, Policinë e Shtetit dhe të tjera institucione për të koordinuar një regjim proaktiv si një front i vetëm kundër shkeljeve zgjedhore”.
“Integriteti i zgjedhjeve është nje tëmë e gjerë që kërkon një bashkëpunim shumëpalësh, por do të fokusohem në hapat proaktivë të ndërmarrë nga Prokuroria e Posaçme.
Së pari, nisja e hetimeve të shpejta në prag të zgjedhjeve të përgjithshme dhe gjatë fushatës zgjedhore, këtu përfshirë edhe rolin aktiv që ka luajtur prokuroria e Posaçme duke regjistruar 9 procedime penale kryesisht, së dyti vendosja e prioritetit të ndjekjes penale kur flitet për zyrtarë të lartë apo përfshirjen e grupeve kriminale në proceset elektorale dhe së treti bashkëpunimi me prokurorinë e Përgjithshme, Policinë e Shtetit dhe të tjera institucione për të koordinuar një regjim proaktiv si një front i vetëm kundër shkeljeve zgjedhore.
Janë administruar 192 materiale gjithsej që lidhen me dyshime për krime zgjedhore. Nga këto 43 materiale kallëzuese janë regjistruar si procedime penale, pra e kanë kaluar fazën e hetimit. Për 43 janë vendosur mosfillimi i hetimit për mungesë të elementëve të veprës penale, 40 të tjera janë dërguar për kompetencë pranëve prokurorive të rretheve gjyëqësore apo drejtorive të policisë. 22 materiale janë dërguar në drejtorinë e policisë për verifikim shtesë dhe 17 materiale janë bashkuar me materialet ekzistuese si dhe një pjesë janë në process verifikimi.
Nga 43 procedime penale të regjistruara për krime zgjedhore, 22 janë inicuar në bazën e referimeve nga Policia e Shtetit, një procedim është referuar nga Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm të Burgjeve”, u shpreh Dumani.
Gjithashtu, kreu i SPAK-ut vuri në dukje se prokurorët e Prokurorisë së Posaçme kanë ushtruar kontrolle personale, të banesave dhe në zyra.
Sipas Dumanit, gjatë kontrolleve janë sekuestruar prova e dokumente të rëndësishme që do i shërbejnë procesit të hetimit.
“Janë ushtruar disa kontrolle në banesa dhe zyra personale. Janë ekzekutuar 20 vendime gjykate për lejim kontrolli të ambienteve të ndryshme dhe personave të ndryshëm, janë sekuestruar prova e dokumente të rëndësishme që do i shërbejnë procesit të hetimit. Sfidat nuk janë të pakta, referuar materialeve të partive të politike depozituar në SPAK kallëzimet e tyre kanë qenë të paplota”, tha më tej Dumani.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




