Trump: Jemi afër marrëveshjes, t’i jepet fund luftës në Gazë. Netanyahu thërret zyrtarët e lartë

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu pritet të thërrasë zyrtarët e lartë në një takim për të diskutuar të ardhmen e strategjisë së Izraelit në Gazë.
Referuar burimeve pranë autoriteteve izraelite, CNN transmeton se kjo lëvizje e Netanyahut vjen një ditë pasi presidenti i SHBA-së Donald Trump tha se ishte “shumë afër” arritjes së një marrëveshjeje për konfliktin në Gazë.
“Një ekip i vogël ministrash dhe zyrtarësh të lartë të mbrojtjes do të marrin pjesë në këtë takim dhe se Izraeli është ende i interesuar në kuadrin e propozuar nga i dërguari i SHBA-së Steve Witkoff, i cili do të shihte një armëpushim në këmbim të lirimit të pengjeve izraelite, të gjallë apo të vdekur”, transmeton CNN.
Brenda qeverisë, partitë e ekstremit të djathtë duan të vazhdojnë operacionet ushtarake në Gazë derisa Hamasi të zhduket.
Por në një intervistë udhëheqësi i partisë fetare Shas, Aryeh Deri, tha se besonte se “një mundësi e madhe është shfaqur në drejtim të pengjeve në Gazë dhe mendoj se tani më shumë se kurrë janë krijuar kushtet për t’i dhënë fund luftës”.
Shas është pjesë e koalicionit qeverisës.
Trump tha të mërkurën se sulmet e SHBA-së në centralet bërthamore të Iranit mund të ndihmonin në një përparim në Gazë dhe se ishte “shumë afër” arritjes së një marrëveshjeje për atë konflikt.
Propozimi i fundit nga Witkoff bën thirrje për lirimin e 10 pengjeve izraelite dhe trupave të 18 izraelitëve të tjerë të marrë më 7 tetor 2023 si pjesë e një armëpushimi 60-ditor.
Më parë këtë muaj, Hamasi tha se nuk e kishte hedhur poshtë propozimin, por kërkonte garanci më të forta rreth fundit të luftës.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




