Nga e diela, Franca ndalon duhanpirjen në ambiente publike për të mbrojtur fëmijët

Botë | 1 vit më parë

Franca do të ndalojë pirjen e duhanit në plazhe, parqe, oborre publike dhe stacione autobusësh prej ditë së diel.

Dekreti qeveritar i publikuar të shtunën në Gazetën Zyrtare njofton ndalimin e pirjes së duhanit edhe jashtë bibliotekave, shkollave, pishinave, dhe synon mbrojtjen e fëmijëve nga duhanpirja pasive.

Në dekret nuk janë përmendur cigaret elektronike, ndërsa ata që shkelin ndalesën do të përballen me gjobë prej 135 eurosh.

“Duhani duhet të zhduket nga vendet ku ka fëmijë,” ka thënë ministrja për Shëndetin dhe Familjen, Catherine Vautrin, duke përmendur “të drejtën e fëmijëve për të thithur ajër të pastër”. 

Hapësirat jashtë kafeneve janë përjashtuar nga ndalesa. Autoritetet vendase thonë se çdo vit në Francë vdesin 75.000 njerëz si pasojë e komplikimeve të lidhura me duhanin. Sipas një ankete të realizuar së fundmi, 6 në 10 francezë apo 62 për qind janë pro ndalimit të duhanpirjes në ambientet publike.

Gazetar: Artur Mata

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme