Rama replikon sërish me deputetin britanik: Shqiptarët nuk janë statistikë në Britaninë e Madhe

Kryeministri Edi Rama i është përgjigjur sërish qëndrimeve të deputetit britanik Nigel Farage mbi çështjen e emigrantëve shqiptarë në Britaninë e Madhe.
Përmes një replike të gjatë në rrjetin social ‘X’, Rama i drejtohet Farage se numrat janë pika e tij e dobët teksa deputeti britanik përmendi shifrat sipas të cilit 1 në 50 shqiptarë janë në burgjet e Britanisë së Madhe dhe Shqipëria duhet t’i marrë mbrapsht ata.
“Sa për shifrën e të burgosurve, një pyetje më e vlefshme do të ishte: sa prej tyre janë dënuar për vepra që nuk kanë asnjë lidhje me sistemin tuaj të tejkaluar të vizave dhe emigracionit? Po, shifrat ndonjëherë mund të duken të mërzitshme – por janë gjithashtu kokëforta. Dhe kur dikush i shtrembëron vazhdimisht, pyetja e vërtetë është: Pse këmbëngul? Sepse, për të qenë i sinqertë, të sillesh me djallëzi është diçka që bie poshtë edhe nivelit tuaj të zakonshëm të retorikës”, shkruan Rama, ndërsa thekson se “censusi” juaj për shqiptarët në Mbretërinë e Bashkuar është qesharak. Ju pretendoni se janë 53,000. Në realitet, numri është shumë më i lartë – disa herë më i madh.
Ai shkruan më tej se shqiptarët nuk janë një statistikë “për t’u shtrembëruar në emër të një teatri politik post-Brexit”
“Shqiptarët në Mbretërinë e Bashkuar nuk janë një statistikë për t’u shtrembëruar në emër të një teatri politik post-Brexit. Ata janë studentë, akademikë, ndërtues, shoferë, sipërmarrës, profesionistë dhe partnerë. Dhe nëse një në një mijë dështon, kjo nuk e kthen shumicën në kokë turku për konfuzionin tuaj kombëtar.
Ne kemi bashkëpunuar me përkushtim me qeverinë britanike për të ulur ndjeshëm emigracionin e paligjshëm dhe për të luftuar krimin. Këtë e dëshmojnë shifrat reale – dhe kjo quhet bashkëpunim. Por “një në 50 shqiptarë në burgjet britanike”? Kjo nuk është fakt, kjo quhet delir post-Brexit”
Reagimi i plotë i kryeministrit Edi Rama:
I nderuar z. Nigel Farage,
Gjyshja ime katolike, Zoti e mëshiroftë, më kujtonte shpesh një proverbë latine: “Errare humanum est, sed perseverare diabolicum.” Që e përkthyer do të ishte: Të gabosh është njerëzore, por të këmbëngulësh në gabim është djallëzore.
Ndaj, në vend që të shqetësoni Sekretaren e Brendshme, e cila ka më se mjaftueshëm përgjegjësi, ndoshta do të ishte më e udhës të më njoftoni mua se kur mund t’ju pres në Tiranë si i ftuar nderi. Sepse, i dashur Nigel duket se numrat nuk janë pika juaj e fortë ndaj le t’i bëjmë gjërat të qarta: JU HUMBËT.
“Censusi” juaj për shqiptarët në Mbretërinë e Bashkuar është qesharak. Ju pretendoni se janë 53,000. Në realitet, numri është shumë më i lartë – disa herë më i madh. Por të qëndrojmë tek burimi juaj: The Telegraph, i cili i pari shpalli teorinë e “një në 50” dhe më pas pranoi vetë:
“Analiza ka të ngjarë të ketë nënvlerësuar madhësinë e popullsisë shqiptare, pasi nuk përfshin migrantët e paligjshëm, përfshirë mbi 12,000 që mbërritën me varka të vogla në vitin 2022. Disa vlerësime sugjerojnë se popullsia e vërtetë shqiptare mund të jetë deri në 140,000 – çka do të thotë se më pak se një në 100 ndodhen në burg.”
Sa për shifrën e të burgosurve, një pyetje më e vlefshme do të ishte: sa prej tyre janë dënuar për vepra që nuk kanë asnjë lidhje me sistemin tuaj të tejkaluar të vizave dhe emigracionit? Po, shifrat ndonjëherë mund të duken të mërzitshme – por janë gjithashtu kokëforta. Dhe kur dikush i shtrembëron vazhdimisht, pyetja e vërtetë është: Pse këmbëngul? Sepse, për të qenë i sinqertë, të sillesh me djallëzi është diçka që bie poshtë edhe nivelit tuaj të zakonshëm të retorikës.
Shqiptarët në Mbretërinë e Bashkuar nuk janë një statistikë për t’u shtrembëruar në emër të një teatri politik post-Brexit. Ata janë studentë, akademikë, ndërtues, shoferë, sipërmarrës, profesionistë dhe partnerë. Dhe nëse një në një mijë dështon, kjo nuk e kthen shumicën në kokë turku për konfuzionin tuaj kombëtar.
Ne kemi bashkëpunuar me përkushtim me qeverinë britanike për të ulur ndjeshëm emigracionin e paligjshëm dhe për të luftuar krimin. Këtë e dëshmojnë shifrat reale – dhe kjo quhet bashkëpunim. Por “një në 50 shqiptarë në burgjet britanike”? Kjo nuk është fakt, kjo quhet delir post-Brexit.
Pres me kënaqësi të ju mirëpres në Shqipëri, siç është premtuar, për të ndarë së bashku diell të bollshëm, mikpritje të ngrohtë dhe fakte të vërteta. 🇦🇱❤️🇬🇧
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




