Deputeti gjerman kërkon çmontimin e strukturave paralele në veri të Kosovës

Ambasadori i Kosovës në Gjermani, Faruk Ajeti, ka shpërndarë një fjalim të mbajtur në Bundestagun gjerman nga deputeti Peter Beyer, ku ky i fundit theksoi rëndësinë strategjike të Ballkanit Perëndimor dhe mbështetjen për Kosovën.
Në fjalën e tij, Beyer ka rikujtuar vizitën e Sekretarit të ri të Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, në rajon në mars të këtij viti, duke theksuar se angazhimi i NATO-s në Ballkan mbetet thelbësor për sigurinë dhe stabilitetin.
Sipas ambasadorit Ajeti, deputeti gjerman ka bërë thirrje për çmontimin e strukturave paralele në veri të Kosovës, të cilat përbëjnë një kërcënim serioz për rendin dhe sigurinë.
“Lufta kundër strukturave kriminale, bandave dhe grupeve të dhunshme duhet të vazhdojë. Zbulimi i fundit i një arsenali armësh në veri është dëshmi e qartë e rrezikut që përfaqësojnë këto struktura për sigurinë dhe stabilitetin,” citohet të ketë thënë Beyer.
Ambasadori Ajeti ka falënderuar deputetin gjerman për qëndrimin e tij të qartë dhe përkrahjen e vazhdueshme për sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës në Bundestag.
https://www.facebook.com/reel/1764064424523951/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




