Danimarka merr presidencën e Këshillit të BE-së, Zelensky: 6 muajt në vazhdim vendimtar për Ukrainën

Europë | 1 vit më parë

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka uruar Danimarkën e cila mori sot presidencën e Këshillit të BE -së, ndërsa thekson se gjashtë muajt e ardhshëm do të jetë një kohë e vendimeve të rëndësishme.

“Dua të uroj Danimarkën për presidencën e saj të Këshillit të BE -së dhe pres me padurim gjashtë muajt e ardhshëm si një periudhë të vendimeve të rëndësishme. Ukraina po zbaton gjithçka që është e nevojshme në procesin e negociatave për pranimin e vendit tonë në Bashkimin Evropian. Këtë vit, ne do të jemi të gatshëm të hapim të gjitha grupkapitujt”, shkroi Zelensky në rrjetin social ‘X’.

Gjithashtu, ai shprehu vlerësim të thellë për mbështetjen e Danimarkës për mbrojtjen e Ukrainës, duke theksuar udhëheqjen daneze si një forcë pozitive për zhvillimin e sigurisë në të gjithë Evropën.

“Falënderoj Danimarkën për modelin e saj të investimit në prodhimin e armëve në Ukrainë, si dhe për mbrojtjen e saj të vazhdueshme të interesave të përbashkëta të Evropës dhe mënyrës së jetës evropiane”, tha presidenti ukrainas.

Zelensky theksoi nevojën për presion të vazhdueshëm ndaj Rusisë gjatë presidencës së BE -së të Danimarkës: “Putini nuk dëshiron një Evropë të fortë; vetëm evropianët me të vërtetë kanë nevojë për një. Prandaj, sanksionet e Evropës dhe ato të partnerëve të tjerë duhet të jenë dukshëm më efektivë, dhe ne, së bashku me Danimarkën, sigurisht që dimë se si ta arrijmë këtë”

Ai shtoi se përgatitjet tashmë janë duke u zhvilluar për një takim me kryeministrin danez Mette Frederiksen, ku pritet një diskutim thelbësor.

“Ne do të vazhdojmë të punojmë së bashku për një arkitekturë më të efektshme evropiane të sigurisë,” përfundoi Zelensky.

Danimarka mori sot presidencën e Këshillit të Bashkimit Evropian që do të zgjasë deri më 31 dhjetor 2025.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme