Prattipati: Kosova, shembull i partneritetit që sjell rezultate

Kosovë | 1 vit më parë

E ngarkuara me punë  në Ambasadën e SHBA-së në Kosovë, Anu Prattipati ka deklaruar se Kosova është shembull i partneritetit që sjell rezultate.’

Duke folur në pritjen zyrtare me rastin e 4 Korrikut, ajo ka theksuar se ky partneritet nuk ka të bëjë vetëm me atë që SHBA-ja e arrin për vete, por sipas saj, ka të bëjë me faktin që fuqia e Amerikës ndihmon për të fuqizuar edhe partnerët e saj dhe Kosova është shembull në këtë drejtim.

Prattipati vuri në pah se është hera e parë që e feston Ditën Pavarësisë së SHBA-së në Kosovë.

“Kjo është hera e parë që e festoj Ditën Pavarësisë së SHBA-së në Kosovë.  Kur mbërrita verën e kaluar si zëvendëseshefe e Misionit, sigurisht që nuk e prisja se do të shërbeja si e Ngarkuar me Punë për këtë festë – dhe është nder të shërbej në këtë rol”, ka deklaruar Prattipati.

Ajo përkujtoi mes të tjerash edhe 250 vjetorin e Ushtrisë Amerikane – degës më të vjetër të forcave tona ushtarake – e cila ishte në vijën e parë të luftës për pavarësi.

“Këtë vit, po kjo Ushtri Amerikane u stërvit krah për krah me Forcën e Sigurisë së Kosovës në “Defender 25”, që është ushtrimi më i madh i ushtrisë amerikane në Evropë – me Kosovën si vend mikpritës. Kjo është më shumë se simbolikë e miqësisë sonë, është më shumë se kaq.  Është me të vërtetë domethënëse. Është dëshmi e forcës së partneritetit tonë në fushën e sigurisë. Së bashku jemi më të sigurt dhe më të fortë”, ka nënvizuar Prattipati.

Prattipati shtoi se falë përkushtimit të palëkundur të Kosovës dhe përputhshmërisë me prioritetet e politikës amerikane, vendet tona janë më të forta dhe më të sigurta.

“Kemi punuar së bashku që amerikanët dhe kosovarët të jenë të sigurt nga kriminelët kibernetikë, kemi ngritur zërin kundër antisemitizmit dhe, rishtazi, kemi qenë të bashkuar në vendosmërinë tonë për të parandaluar aktorët keqdashës nga blerja e armëve nukleare”, nënvizoi Prattipati, teksa shtoi se Kosova, gjithashtu, ka qenë ndër përkrahëset më të forta të Shteteve të Bashkuara në përpjekjet tona për të mbrojtur kufirin tonë.

“Jemi miq dhe partnerë në përpjekjet që jo vendet tona, por edhe rajoni, të jenë më fortë, më të sigurt dhe më të begatë. Dhe ne e kuptojmë rrugëtimin e Kosovës. Historia juaj ngjan me tonën. E kemi kaluar edhe ne këtë rrugë më parë dhe vazhdojmë ta ecim së bashku me ju”, tha mes tjerash Prattipati.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme