Europiani i Femrave në RTSH: Norvegjia përmbys Zvicrën

Norvegjia arriti fitoren e parë në Evropianin e Femrave, duke mundur 2-1 Zvicrën. Skuadra vendase e mbylli pjesën e parë në epërsi, nordiket e përmbysën në të dytën, ndërkohë që të dyja skuadrat patën raste të mira për gola të tjerë. Gjithçka është transmetuar ekskluzivisht në ekranin e RTSH.
Zvicra dhe Norvegjia dhuruan një ndeshje të bukur në ditën e parë të Evropianit të femrave, transmetuar ekskluzivisht në ekranin e Radio Televizionit Shqiptar. Norvegjia arriti fitoren dhe mori kryesimin e Grupit A, në një takim ku të tre rezultatet ishin të mundshme.
Në pjesën e parë, në fushë u pa praktikisht vetëm një skuadër, Zvicra, e cila i befasoi norvegjezet me lojë të shpejtë e presing të lartë. Nordiket nuk arritën të rrezikonin asnjëherë, ndërkohë që Zvicra tundi traun në minutën e 24-ët, para se gjente golin, katër minuta më pas, me Riesen, që gjuajti brenda zonës.
Pjesa e dytë nisi me të njëjtën pamje, por në minutën e 54-t Norvegjia gjeti golin, kur kapitenia Hegerberg gjuajti fort me kokë pas një goditjeje nga këndi. Katër minuta më pas, Stierli, në përpjekje për të shpëtuar portën nga një gol i sigurt, e dërgon topin në rrjetën e saj dhe i jep avantazhin Norvegjisë.
Në minutën e 69-të, Norvegjia ka rastin më të mirë, por Hegerberg gjuan jashtë nga pika e penalltisë. Ngjarjet zhvendosen menjëherë në zonën tjetër dhe është Zvicra që fiton penallti, por pas shikimit nga VAR anulohet për pozicion jashtë loje.
Loja është e hapur dhe të dyja skuadrat kanë raste të mira për të ndryshuar rezultatin. Zvicra i afrohet barazimit, por Norvegjia arrin të mbijetojë dhe siguron tri pikët e para.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




