Ndotja nga zjarri në landfill, tym dhe blozë në Elbasan dhe zonat përreth
Prej tre ditësh, një zjarr i fuqishëm në fushën e mbetjeve në Elbasan ka shkaktuar ndotje të lartë mjedisore, duke bërë që banorët pranë vatrës kryesore të shmangin daljet nga banesat.
Eksperti i mjedisit, Ahmet Mehmeti, thotë se bëhet fjalë përi një ndotje që shkon përtej normave të lejuara nga Bashkimi Europian.
“Shkalla e ndotjes mund të jetë tetëfishi deri në dhjetëfishin e normës së Bashkimit Europian, sidomos në 24 orë: 10-fish!” thotë z. Mehmeti.
Tymi dhe bloza kanë mbuluar zonat bujqësore, duke ndikuar seriozisht në cilësinë e ajrit dhe të produkteve të tokës me pasoja shëndetësore për banorët.
“Këtu në Elbasan është pesëfish ndotja, jo 5 për qind, as 50 për qind. Këtu në qytet,” thekson eksperti i mjedisit.
Ai tregon se shpërthimi i zjarrit ka ardhur si pasojë e gazrave të akumuluara ndër vite në mungesë të riciklimit dhe të ekspozuara në temperatura të larta.
“Në mbetje të tilla [zjarri] është me vetëndezje. Rriten temperaturat, gazrat arrijnë një pikë të caktuar dhe shpërthejnë. Si të tilla, ato shkaktojnë dëme të jashtëzakonshme. Ne pamë që vetëm në 24 orë nuk hapeshin dritare e dyer, sepse tymi dhe bloza na morën frymën,” tregon z. Mehmeti.
Përgjatë këtyre ditëve janë hedhur të paktën mbi 10,000 metër kub dhera dhe vijon puna për shuarjen e plotë të vatrës. Sakaq autoritetet mbeten në gatishmëri për çdo riaktivizim të mundshëm.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




