Alarmi për bombë në Kuvendin e Kosovës, Prokuroria: Ishte i rremë

Kërcënimi për bombë në Kuvendin e Kosovës rezulton të ketë qenë i rremë. Kështu bëri me dije kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Zejnuallah Gashi, i cili tha se janë angazhuar njësitë e krimit kibernetik për të zbuluar se nga erdhi thirrja që dha alarmin për bombë.
“Ka rezultuar që kërcënimi ka qenë i rremë dhe deri tani nuk ka diçka që ia vlen të ceket sa i përket rezultateve nga vendi i ngjarjes. Do vazhdojmë sa i përket prejardhjes së thirrjes telefonike të bërë nga një person anonim i cili ka qenë me zë mashkulli, me gjuhën angleze, me theks që mendojmë se është i shteteve jomike”, ka thënë Zejnullahu.
Sipas kryeprokurorit, hetimet vazhdojnë në tri drejtime, ndërsa theksoi se kërkojnë ndihmë nga shtetet mike të Kosovës për zbardhjen e rastit, se nga kush është alarmuar Kuvendi.
Deputetët e Kuvendit të Kosovës, të cilët ishin mbledhur në vijim të seancës së radhës konstituive, u urdhëruan të evakuoheshin nga ndërtesa. Deputetët pritet të mblidhen mbrëmjen e sotme për të 42-tën herë më radhë në tentimin për të konstituar Kuvendin e Kosovës. Katër muaj pas zgjedhjeve të 9 shkurtit, Kosova vazhdon të jetë pa institucione të reja, ndërsa Gjykata Kushtetuese i ka vendosur deputetëve një afat 30-ditor që duket se po shkon drejt fundit pa një konsensus mes palëve.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




