Zaptimi i hapësirave publike, Rama publikon foto, ultimatum bizneseve në Lungomare: Keni 48 orë kohë t’i hiqni!

Aktualitet | 1 vit më parë

Kryeministri Edi Rama ka publikuar raste konkrete të zaptimit të hapësirave publike në vend, duke i shoqëruar me foto nga zona e 21 Dhjetorit në Tiranë dhe Lungomare në Vlorë.

Kreu i qeverisë paralajmëron se ndaj shkelësve do të merren masa të rrepta, nga gjoba administrative deri në ndjekje penale.

“Situatë klasike “toke të xanun” në Tiranë, tek 21 Dhjetori – kush nuk do t’i tërheqë vetë nga hapësira publike e përbashkët barrikadat që u ka ngritur njerëzve me gjithëfarësoj objektesh, që nga tavolinat dhe frigoriferët në trotuarë e deri tek muret apo trarët e “doganave” rreth pallateve, do të ballafaqohet jo vetëm me gjobat përkatëse po edhe me ndjekjet përkatëse penale për shkatërrim të pronës publike, cenim të shëndetit e sigurisë fizike së qytetarëve dhe me radhë… Koha për t’u bërë bashkë që të gjithë në emër të bashkëjetesës në të njëjtën lagje; shumica duke marrë mbrapsht atë që i takon dhe pakica duke kthyer mbrapsht atë që nuk i takon!”, shkruan Rama.

Në Lungomare, Rama i jep një ultimatum prej 48 orësh bizneseve që të lirojnë hapësirat publike, teksa i paralajmëron se “nga e hëna nuk do keni më asgjë në dorë!”

“Ky lloj zaptimi në Lungomaren e bukur të Vlorës, i përket një kategorie të re të quajtur “Pergolatë”, e cila i paraprin kërkesës për legalizim me teorinë skandaloze që toka ka pronar ndërtuesin e pallatit, ndërkohë që jo, toka rreth pallatit ka pronarë të gjithë banorët, njësoj si të gjitha mjediset e përbashkëta! Halli me këto “pergolatat” vlonjate është se janë shtrirë edhe matanë zonës së paraparë nga projekti për vendosje çadrash e karrigesh për shërbimet dhe si në rastin e shenjuar në foto, janë hapur edhe anash pallateve duke rrëmbyer trotuaret, nën sytë e mbyllur të inspektorëve e të drejtuesve të bashkisë në vite!  Tani thirrja ime për të tërë zaptuesit e trotuareve në Lungomare është: Keni 48 orë kohë për t’u kthyer qytetarëve dhe turistëve trotuarët e tyre dhe për t’i larguar të gjitha llojet e hekurishteve e të betonarmeve, duke i tërhequr njëkohësisht “pergolatat” në vijën e parashikuar nga projekti i Lungomares! Nga e hëna nuk do keni më asgjë në dorë!”, shkruan Rama.

Aksioni për lirimin e hapësirave publike, i lajmëruar një ditë më parë nga kreu i qeverisë, do të nisë nga Tirana dhe do të shtrihet në qytetet e tjera pa tolerancë ndaj abuzuesve.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme