Përmbyllja e vitit të parë të projektit Elite Youth Academy, drejtori Fulvio Pea tregon detaje nga sezoni i ardhshëm

Projekti i Federatës Shqiptare të Futbollit në bashkëpunim me UEFA-n, Elite Youth Development Academy, përmbylli vitin e parë të zhvillimit të tij në Tiranë. Pjesëmarrës në këtë projekt ishin 37 djem të rinj të grupmoshës 2010 dhe 2011, të cilët u stërvitën 4 herë në javë në Shtëpinë e Futbollit.
Drejtori Teknik i FSHF, Fulvio Pea, dha një prononcim për fshf.org ku bëri një rezyme të vitit të parë të projektit Elite Youth dhe dha disa detaje nga organizimi i vitit të ardhshëm.
“Kemi përmbyllur vitin e parë të projektit tonë Elite Youth Development Academy, i dashur shumë nga Presidenti ynë, i cili ka programuar, projektuar dhe investuar në 40 djem të rinj, të cilët janë impenjuar përgjatë vitit duke bërë 4 stërvitje në javë në qendrën tonë të bukur sportive.
4 stërvitje të përbëra nga sesione teknike, taktike dhe fitness, ku këtu falënderoj Area Performance, sepse i janë afruar duke krijuar teste interesante dhe kanë nxjerrrë të dhëna që do të ndihmojnë për të vazhduar rrugëtimin në të ardhmen, si dhe departamenti i videonalizës që me video i ka dhënë mundësinë trajnerëve tanë për të studiuar gabimet dhe për të bërë korrigjimet e duhura që i ndihmojnë djemtë të përmirësohen” – u shpreh drejtori Pea.
“Projekti vitin tjetër do të transferohet në Durrës me një risi të bukur, ku në vend të 2 skuadrave do të bëhen 3, pasi do të bashkohet dhe grupi i vitit 2012. Kjo është një tjetër kërkesë nga Presidenti ynë, i cili beson shumë te futbolli i të rinjve në Shqipëri” – shtoi ai.
“Rrugëtimi i djemve tanë këtë vit është pasuruar nga prezenca e Bushit, Bulkut, Gjasulës, si dhe disa lojtarëve që luajnë në kampionatin tonë Abissnet Superiore, që sigurisht kanë ndriçuar ëndrrat e të rinjve tanë” – përfundoi Drejtori Teknik i FSHF.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




