Trump kërcënon grupin BRICS: Tarifa shtesë 10% për vendet që e mbështesin

Botë | 1 vit më parë

Presidenti amerikan Donald Trump paralajmëroi se vendet që mbështesin politikat e aleancës BRICS, të cilat bien ndesh me interesat e Shteteve të Bashkuara, do të goditen me një tarifë shtesë prej 10 për qind.

Trump ka kritikuar prej kohësh grupin e shteteve me anëtarë themelues Kinën, Rusinë, Brazilin dhe Indinë, i cili është krijuar për të rritur ndikimin ndërkombëtar të këtyre vendeve dhe për të sfiduar SHBA-në dhe Evropën Perëndimore.

“Çdo vend që pajtohet me politikat antiamerikane të BRICS do të përballet me një tarifë shtesë prej 10%. Nuk do të ketë përjashtime nga kjo politikë,” shkroi Trump në rrjetin e tij Truth Social.

Kërcënimi i presidentit amerikan ndaj shteteve që bashkëpunojnë me vendet e BRICS erdhi pasi anëtarët e këtij grupimi kritikuan politikat tarifore të Shteteve të Bashkuara dhe propozuan reforma për Fondin Monetar Ndërkombëtar, dhe mënyrën se si vlerësohen valutat kryesore.

Si reagim ndaj deklaratës së presidentit Trump, Kremlini tha të hënën se vizioni i shteteve të BRICS është vetëm bashkëpunimi ndërmjet tyre dhe jo përfshirja e palëve të treta.

“Është me rëndësi të theksohet se BRICS është një grupim shtetesh që i bashkohen qasja e njëjtë dhe vizioni i përbashkët sesi të ndërtojmë marrëdhënie që në thelbin e tyre kanë bashkëpunimin dhe interesin tonë vetjak. Ky ndërveprim nuk ka qenë kurrë, dhe as ka për të qenë ndonjëherë i drejtuar ndaj palëve të treta,” tha zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov.

Vitin e kaluar, lista e anëtarëve të BRICS u zgjerua përtej Brazilit, Rusisë, Indisë, Kinës dhe Afrikës së Jugut, duke përfshirë Egjiptin, Etiopinë, Indonezinë, Iranin, Arabinë Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe. Këto vende në bllok përbëjnë më shumë se gjysmën e popullsisë së botës.

Ndërkohë një afat për vendet që të bien dakord për një marrëveshje tarifore me Shtetet e Bashkuara ishte caktuar për 9 korrik, por zyrtarët amerikanë tani thonë se ato do të hyjnë në fuqi më 1 gusht.

Trump shtoi se disa vendeve do t’u dërgohen letra duke i këshilluar ato se cila do të jetë norma e re e tarifave për mallrat e importuara nëse nuk do të arrihet një marrëveshje, ndërsa ishte Sekretari amerikan i Tregtisë Howard Lutnick, ai që sqaroi se taksat do të hyjnë në fuqi më 1 gusht.

Gazetare: Vjollca Zharri

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme