Vendet e BRICS kërkojnë të reformohet FMN-ja, kritikojnë tarifat “diskriminuese” të Trump

Botë | 1 vit më parë

Ministrat e financave të grupit BRICS – Brazili, Rusia, India, Kina, Afrika e Jugut dhe pjesëtarët e rinj Egjipti, Etiopia, Irani, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Indonezia – kanë bërë thirrje për reforma brenda Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN), për një shpërndarje më të mirë të së drejtës së votimit dhe për t’i dhënë fund traditës që në krye të institucionit të jetë një europian.

Deklarata e përbashkët është ndër rastet e rralla që këto vende bien dakord unanimisht për reformat. Pjesëmarrësit vendosën që propozimet të konsultohen edhe një herë në muajin dhjetor, kur do të diskutohet më saktë për kuotat dhe të drejtat e votimit.

“Kuotat duhet të reflektojnë pozitat relative të pjesëtarëve në ekonominë globale, por edhe të mbrojnë kuotat e pjesëtarëve më të varfër,” theksuar ministrat e BRICS-it pas takimeve në qytetin brazilian të Rio-de-Zhanejros.

Liderët e grupit pritet sot që të dalin me kritika edhe kundrejt presidentit amerikan Donald Trump, duke i konsideruar tarifat e planifikuara prej tij në dëm të ekonominë globale dhe të jashtëligjshme. Sipas një projektdokumenti të raportuar nga agjencia franceze e lajmeve, AFP, vendet në zhvillim të BRICS kanë të njëjtin “shqetësim” kur vjen fjala për tarifat amerikane mbi importet. Megjithatë dokumenti paraprak nuk e përmend me emër presidentin Trump dhe as Shtetet e Bashkuara.

“Ne jemi shumë të shqetësuar nga tarifat e njëanshme dhe masat jotarifore që e shtrembërojnë tregtinë dhe janë në mospërputhje me OBT-në (Organizata Botërore e Tregtisë),” thuhet në tekstin paraprak të vendeve pjesëmarrëse të grupit BRICS.

Blloku i këtyre vendeve në zhvillim përfaqëson më shumë se 40 për qind të popullatës së botës dhe një të tretën e ekonomisë globale, duke kaluar vendet e zhvilluara të G7-ës. Që nga samiti i parë i liderëve në vitin 2009, vendet e BRICS thonë se mbrojnë multilateralizmin në një kohë kur bota ka pësuar fraktura të ndryshme gjeopolitike.

Takimi sivjet po mbahet pa praninë e presidentëve të Kinës dhe Rusisë, Xi Jinping dhe Vladimir Putin. /Reuters, AFP

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme