“Partia e re e Musk, qesharake”, Trump kritikon krijimin e “Partisë Amerikane” nga ish-aleati
“Qesharak” e cilësoi presidenti amerikan Donald Trump krijimin e partisë së re nga ish-aleati i tij i ngushtë, Elon Musk.
“Sistemi ka qenë gjithmonë sistem dypartiak dhe mendoj se krijimi i një partie të tretë vetëm sa shton konfuzionin,” u shpreh presidenti republikan.
Pasi e kishte diskutuar idenë për javë të tëra, Musk njoftoi gjatë fundjavës për krijimin e Partisë Amerikane për të sfiduar “sistemin njëpartiak” në SHBA, siç i quajti ai Partinë Republikane dhe atë Demokrate.
Trump dhe Musk ishin aleatë të ngushtë para se kreu i kompanisë së automjeteve elektrike Tesla të largohej nga drejtimi i Departamentit të Efikasitetit të Qeverisë, i cili kishte detyrë të ndihmonte në uljen e shpenzimeve federale.
Njeriu më i pasur në botë, pasi shpalli krijimin e partisë së re politike, tha se ajo mund të mbështesë një kandidat presidencial në një moment të caktuar, por fokusi për 12 muajt e ardhshëm do të jetë tek Dhoma e Përfaqësuesve dhe Senati, pasi më herët Kongresi amerikan miratoi projektligjin e president Trump për uljen e shpenzimeve.
Plani i taksave dhe shpenzimeve, i kthyer në ligj pas nënshkrimit më 4 korrik nga presidenti republikan, i dha fund lehtësirave tatimore për automjetet elektrike.
Musk e ka kritikuar vazhdimisht këtë politikë qeveritare, duke paralajmëruar se do të rrisë me miliarda dollarë borxhin kombëtar të Shteteve të Bashkuara.
Gazetare: Vjollca Zharri
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




